Dita e 22-të e luftës, pushtimi rus i “bllokuar”, tensionohen marrëdhëniet me SHBA-në: Kriminel lufte

  • E.K /
  • 17 March 2022 - 08:36
Dita e 22-të e luftës, pushtimi rus i “bllokuar”, tensionohen marrëdhëniet me SHBA-në: Kriminel lufte

Në ditën e 22 të luftës, burime nga disa anë konfirmojnë se Vladimir Putin ka ngecur me planin e tij të pushtimit. Japonia publikoi pamje të disa anijeve ushtarake ruse që mendohet se po dërgojnë trupa në Ukrainë, nga ana tjetër Inteligjenca Britanike tha se pushtimi rus ka ngecur në të gjitha frontet.

Zhvillimet më të fundit në Ukrainë.

Në qytetin e rrethuar të Mariupolit, autobusët me rreth 300 refugjatë kanë mbërritur përtej kufirit në rajonin e Rostovit të Rusisë, sipas mediave ruse. Dje, sulmet me raketa ruse goditën një teatër në qytet ku mendohej se ishin strehuar mbi 1000 njerëz, sipas nënkryetarit të bashkisë së qytetit.

Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky akuzoi Rusinë se e goditi qëllimisht teatrin. Rusia ka mohuar se e ka bombarduar atë.

Në kryeqytetin Kiev, një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur pasi një pallat u bombardua nga rusët. Po punohet për të nxjerrë njerëzit që mund të jenë të bllokuar nën rrënoja.

Në Chernihiv, 13 persona që prisnin në radhë për bukë u raportuan të vrarë nga bombardimet ruse

Në frontin diplomatik, marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Rusisë janë tensionuar pasi presidenti amerikan Joe Biden e quajti presidentin rus Vladimir Putin një “kriminel lufte”. Kremlini i cilësoi komentet e Biden si “retorikë të papranueshme dhe të pafalshme”

Para se të bëhej komenti, Zelensky foli në Kongresin e SHBA ku bëri thirrje për më shumë mbështetje perëndimore

SHBA premtoi një shtesë prej 1 miliard dollarësh në armë për Ukrainën

Analiza nga ekspertët ushtarakë, përfshirë ministrinë e mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, thotë se pushtimi rus ka “ngecur në të gjitha frontet”

Katër anije të mëdha luftarake ruse janë parë duke lundruar pranë ishujve japonezë Honshu dhe Hokkaido ndërsa udhëtonin në perëndim, ndoshta drejt Evropës, raporton Reuters. Lajmi është bërë me dije nga ministria e Mbrojtjes së Japonisë e cila ka publikuar foto të anijeve që po kalonin. I pyetur nëse ata mund të nisen për në Ukrainë, një zëdhënës i ministrit japonez të mbrojtjes i tha Reuters, “është e mundur”. 

(Kosova Sot Online)