I kërkoi 10 milionë euro dëmshpërblim për shpifje dy ish-zyrtarëve, gjykata ia refuzon padinë

  • E.K /
  • 19 March 2022 - 11:22
I kërkoi 10 milionë euro dëmshpërblim për shpifje dy ish-zyrtarëve, gjykata ia refuzon padinë

Gjykata Themelore në Gjilan, e ka refuzuar si të pabazuar padinë e paditëses H.Q., me të cilën ajo ka kërkuar nga B.S, ish-zyrtar i lartë në Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) në Gjilan dhe V.B.R, ish-kryesuese e Kuvendit Komunal në këtë komunë, 10 milionë euro dëmshpërblim për shpifje dhe fyerje ndaj saj.

Paditësja H.Q, në qershor të 2019-ës, duke pretenduar se dy-ish zyrtarët kanë shpifur dhe është fyer për të, ka parashtruar padi kundër tyre në gjykatë, duke kërkuar që asaj t’i kompensohet shuma prej 4 milionë euro në emër të cenimit të dinjitetit, 4 milionë euro në emër të dhimbjeve shpirtërore, cenim të autoritetit dhe nderit, dhe në emër të shpifjes dhe fyerjes, shumën prej 2 milionë euro, e që shuma totale kapë vlerën prej 10 milionë euro.

Në aktgjykimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” të marrë më 9 dhjetor 2020, thuhet se gjykata pasi ka vlerësuar dhe analizuar thëniet e palëve ndërgjyqëse gjatë shqyrtimit gjyqësor, në kuptim të nenit 8 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (LPK), ka konstatuar se kërkesëpadia e paditëses është e pabazuar në ligj, për faktin se ka arritur afatin e parashkrimit.

Në arsyetimin e aktgjykimit thuhet se “Gjykata deri te një konstatim i tillë ka ardhur duke u bazuar në deklaratat e të paditurve, të cilët janë thirrur në institutin e parashkrimit dhe duke u bazuar në nenin 17, par.1 të Ligjit Civil nr. 02/L-65 Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, nen ky i cili parasheh se “Afati për paraqitjen e një kërkese për kompensim në bazë të këtij Ligji është tre (3) muaj, nga dita kur personi që pretendohet të jetë i dëmtuar është vënë në dijeni ose duhet të jetë vënë në dijeni për shprehjen e faktit të pavërtetë dhe identitetin e autorit dhe në asnjë rast nuk duhet të kalojë një (1) vit, nga dita kur shprehja është bërë publike”.

Në rastin konkret, në vendimin e gjykatës arsyetohet se sipas padisë dhe deklaratës së dhënë në seancën përgatitore, paditësja ka theksuar se shpifja ka ndodhur më 16 mars 2018, pra nga kjo ditë është vënë në dijeni për fyerjet dhe shpifjet e pretenduara nga ana e saj, mirëpo padinë për realizimin e së drejtës, në këtë gjykatë e ka paraqitur më 13 qershor 2019, pra jashtë afatit të paraparë ligjor.

Ndryshe, aktgjykimi në fjalë tashmë është bërë i plotfuqishëm.

Paditësja H.Q, më 13 qershor 2019, ka ushtruar padi ndaj B.S., ish-zyrtar i lartë në Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA), në Gjilan, me arsyetimin se në mars të 2018-ës brenda objektit të kësaj drejtorie, i padituri B.S e ka fyer rëndë dhe ka shpifur për paditësen H.Q., duke cenuar dhe shkelur mbi moralin e saj, ku në këtë rast ai i është drejtuar asaj me fjalët “k…. hup prej këtuhit”.

Sipas padisë, ditën konkrete paditësja kishte shkuar në Drejtorinë e Arsimit lidhur me një vend pune në fushën e arsimit, në të cilën ajo edhe është diplomuar dhe se pas shpifjes dhe fyerjes që kishte marrë nga i padituri, ajo atij nuk i ishte kundërpërgjigjur, mirëpo pas 15 minutash rastin e ka paraqitur në polici.

Tutje, në padi thuhet se kjo nuk ishte hera e parë që i padituri B.S e ka fyer dhe ka shpifur për paditësen H.Q., pasi kjo ngjarje e pakëndshme kishte ndodhur edhe në shtator të 2016-ës kur paditësja ishte fyer nga i padituri me fjalët “Ta .. k… e nonës”, dhe se edhe ky rast ishte paraqitur në formën institucionale duke shfrytëzuar ankesën, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Në padi thuhet se paditësi si zyrtar i lartë në DKA në Gjilan, ka arritur të bllokojë procedurën e rregullt për përzgjedhjen e kandidatëve të cilët i plotësojnë kriteret për t’u punësuar në një pozitë në arsim, në mënyrë që paditëses t’i largojë çdo mundësi që të pranohet në ndonjë institucion arsimor brenda periudhës nëntë vjeçare në të cilën paditësja ka aplikuar vazhdimisht për punë.

Paditësja me padi kishte pretenduar se shpifjet dhe fyerjet përpos të paditurit të parë B.S., i ka përhapur gojarisht edhe e paditura e dytë, V.B.R., ish-kryesuese e Kuvendit Komunal në Gjilan, duke i bërë publike këto thashetheme në të paktën gjysmën e Gjilanit, duke i shkaktuar paditëses dëm në reputacion, në familje, farefis dhe shoqëri, duke i pamundësuar asaj të ketë një jetë normale brenda rrethit social.

Për këto pretendime, paditësja H.Q., kishte kërkuar nga gjykata që kërkesëpadinë e saj ta aprovojë, dhe të obligohen të paditurit B.S dhe V.B.R., që asaj t’i kompensohet shuma prej 4 milionë euro në emër të cenimit të dinjitetit, 4 milionë euro në emër të dhimbjeve shpirtërore, cenim të autoritetit dhe nderit, dhe në emër të shpifjes dhe fyerjes, shumën prej 2 milionë euro, e që në total kapë shumën prej 10 milionë euro.

(Kosova Sot Online)