Albin Kurti flet për herë të parë për demantimin që iu bë Besnik Bislimit nga zyrtari i KE-së

  • A.P /
  • 22 March 2022 - 21:04
Albin Kurti flet për herë të parë për demantimin që iu bë Besnik Bislimit nga zyrtari i KE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për herë të parë pas demantimit që iu bë zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi nga zëvendëssekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, lidhur me përmbajtjen e bisedave në takimin e zhvilluar në Strasburg.

Kurti tha se nuk ka qenë të përdorura fjalët e duhura në atë tweet, e për të cilin tha se i vjen shumë keq që takimi më i mirë që ka pasur Bislimi është përfolur për të keq.

“Në qeverisje je tërë kohën aktiv, aq shumë aktiv saqë është e pamundshme të kontrollosh gjithçka. Nganjëherë bëj shaka them se, si kryeministër më duket vetja si nonstop duke shënuar mesazhe, duke marrë vendime, duke lexuar raporte, duke përcjell udhëzime, sikur ai punëtori që punon me hillt, theksi nuk duhet të jetë të betoni që qahet, por te punëtori që dridhet.

Kur është formuluar ai tweet, nuk kanë qenë fjalët e duhur, ai ka kërkuar falje, e ka bërë korrigjimin, qëllimi ka qenë i mirë, dhe mbi të gjitha ai takim ka qenë shumë i mirë. Më vjen shumë keq që takimi më i mirë që ka pasur zvkryeministri është përfolur për të keq”, tha Kurti në RTK.

Kryeministri tha se ka biseduar menjëherë me Bislimin, dhe ai ka reaguar sa më parë që ka mundur. Megjithëkëtë, Kurti thotë se nuk beson që është bërë ndonjë dëm.

“Ama duhet ta kuptoni se nuk po mbërrijmë t’i shikojmë secilën fjalë të secilit tekst që duhet ta nxjerrim, unë nuk besoj që është bërë dem. Kam biseduar menjëherë me Bislimin dhe ka reaguar sa më shpejt që ka mundur”, tha ai.

Sa i përket kërkesës së opozitës për dorëheqjen e Bislimit, Kurti thotë se opozita e ka hallin me të dhe jo me zëvendëskryeministrin.

“Opozita nuk e ka hallin me të, e ka hallin me mua. Unë nuk besoj që ne kemi mundur të kemi një kryenegociator sikur Besnik Beslimi. Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur që e kam koleg e bashkëpunëtor”.

(Kosova Sot Online)