Urrejtja e serbëve për Albright ndër vite, iu ndërsyen edhe në promovim të librit në Pragë

  • A.P /
  • 25 March 2022 - 16:13
Urrejtja e serbëve për Albright ndër vite, iu ndërsyen edhe në promovim të librit në Pragë

Sekretarja e parë grua në historinë e ShBA-së, Madeleine Albright i ka trazuar serbët edhe pas vdekjes. Ata u shfaqën dje me parulla rrugëve të Beogradit ku shkruhej “Digju në ferr”. Kudo që ish-sekretarja e Shtetit është shfaqur në publik, serbët s’e kanë lëshuar rastin për t’iu ndërsyrë. Një episod i tillë kishte ndodhur para disa vitesh në vendlindjen e saj në Pragë të Çekisë, ku Albright ishte duke promovuar librin “ Dimri i Pragës” me rrëfime personale nga Lufta e Dytë Botërore.

Më 23 tetor 2012, në një nga libraritë e kryeqytetit çek, ku Albright po nënshkruante kopjet e librit të saj, një turmë serbësh ishin vërsulur për të hyrë brenda ambienteve ku po qëndronte Sekretarja e Shtetit duke e akuzuar për bombardimet e NATO-s në Ish-Jugosllavi.

Por “Zonja e Hekurt” e ShBA-së, u ishte kundërpërgjigjur atyre me tone të ashpra duke i urdhëruar që të dilnin jashtë dhe duke i quajtur “të neveritshëm” dhe “kriminelë lufte”.

Pas situatës së tensionuar, Albright ishte larguar me ndihmën e pjesëtarëve të sigurisë së librarisë.

Ish-kryediplomatja amerikane, Madeleine Albright vdiq para dy ditësh në moshën 84 vjeçare.

Ndërkaq sot në Kosovë është shpallur ditë zie në nderim të veprës së ish-Sekretares së Shtetit dhe ndihmës ndaj popullit të Kosovës në vitin 1999.

Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton, së pari shërbeu si ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomatja më i lartë i vendit në mandatin e saj të dytë. Ajo mbrojti zgjerimin e NATO-s, nxiti që aleanca të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, u përpoq të reduktonte përhapjen e armëve bërthamore dhe mbrojti të drejtat e njeriut dhe demokracinë në të gjithë globin.

Albright është e njohur për rolin e saj kyç në negociatat në Rambuje mes palës shqiptare dhe asaj serb, që i paraprin fushatës së bombardimeve të NATO-s në Serbi.

Në qendër të Prishtinës, në një shesh që mban emrin e ish-sekretares amerikane, është edhe busti i saj, në shenjë nderimi për rolin e zonjës Albright për çlirimin e Kosovës, 22 vjet më parë.

(Kosova Sot Online)