Shkarkimi i Stevanoviq, vetëm gjyqtarët iu përgjigjën kërkesës së Rakiqit për bojkot të punës

  • A.P /
  • 28 March 2022 - 22:43
Shkarkimi i Stevanoviq, vetëm gjyqtarët iu përgjigjën kërkesës së Rakiqit për bojkot të punës

Në Gjykatën Themelore në Mitrovicën e Veriut ishte paraparë që të mbahen pesë  seanca këtë të hënë. Megjithatë, ato dështuan ose u zhvilluan pjesërisht, si pasojë e një vendimi të së premtes nga serbët për të bojkotuar punën.

Përkundër mungesës së gjyqtarëve serbë, punët po i vazhdojnë prokurorët serbë.

Kështu së paku pohoi një qytetar në Mitrovicën Veriore.

Që seancat u mbajtën vetëm me prezencën e prokurorëve serbë e tha edhe avokatja Fatmire Braha.

Braha pohon se pezullimet po iu shkaktojnë pengesa në proceset gjyqësore.

Në punë u paraqitën edhe punonjësit në Prokurorinë Themelore.

Njëjtë vepruan edhe në Komunë.

Punëtorët e sigurimit prapa kamerave i thanë ekipit që në punë janë paraqitur të gjithë punëtorët e nacionalitet serbë.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, u kërkoi serbëve që të bojkotojnë punën në institucionet e Kosovës derisa të kthehet në postin e saj, Liliana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, e suspenduar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për pjesëmarrje në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

(Kosova Sot Online)