
Publikohen rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut/Ja sa përqind janë shqiptarë

Sipas të dhënave nga rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, nga numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente: 58.21 për qind e tyre janë deklaruar maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.84 për qind turq, 2.34 për qind janë nga komuniteti rom, 0.44 për qind janë vllehë, 1.18 për qind serbë dhe 0.87 për qind janë deklaruar si boshnjakë, shkruan gazeta "Kosova Sot Online".

Enti Shtetëror i Statistikës të mërkurën më 30 mars, publikoi edhe numrin e përgjithshëm të popullsisë së regjistruar, që përfshin atë rezidente dhe jorezidente. Janë regjistruar gjithsej 2,097,319 persona dhe prej tyre; 54.21 për qind janë deklaruar maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.34 për qind nga komuniteti rom, 1.18 për qind si serbë, 0.98 boshnjakë dhe 0.44 vllehë.
Në bazë të të dhënave, nga regjistrimi i vitit 2002, numri i popullsisë shqiptare ka shënuar rënie për rreth një për qind në vitin 2021.
Bazuar në të dhënat e Entit të Statistikës, popullsia rezidente në Maqedoninë e Veriut është ulur për 185 mijë njerëz apo në rreth 9 për qind në krahasim me regjistrimin e popullsisë në vitin 2002.
Përveç maqedonishtes, gjuhë zyrtare në këtë vend është edhe gjuha shqipe të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës jomaqedonase.
Në bazë të këtij formulimi kushtetues, shqiptarëve u sigurohen edhe të drejtat e tjera kombëtare, si përfaqësimi adekuat në institucione, përdorimi i simboleve kombëtare, gjuhësore e kulturore.
(Kosova Sot Online)