
Katër komunat në Serbi ku serbët e Kosovës do të dërgohen me autobusë për të votuar

Votuesit serbë nga Kosova do ta kenë mundësinë që të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 3 prillit në Tutin, Rashkë, Kurshumli dhe Vranjë.
Transporti për serbët që jetojnë në Kosovë është planifikuar të bëhet me autobusë.
Sipas komisionit organizativ, në pikëkalimet kufitare dy deri në tre autobusë do të kalojnë në të njëjtën kohë, shkruan Blic.rs, transmeton Gazeta Express.
Qytetarët serbë nga komunat veriore si dhe ata që jetojnë në Istog, Vushtrri, Skenderaj, Klinë, Pejë e Rahovec do ta kenë mundësinë të votojnë në Rashkë dhe në Tutin.
Ndërkaq ata nga Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë Kosova, Lipjani, Ferizaji do të votojnë në Kurshumli si dhe ata nga Shtërpca, Novo Bërda, Vitia, Gjilani, Kamenica do të mund të votojnë në Vranjë.
Kryetarët e komunave me shumicë serbe i kanë ftuar votuesit që përmes transportit të organizuar të marrin pjesë në votime. Sipas policisë së Kosovës në Graçanicë, qytetarët nuk do të lejohen që të shpërfaqin flamuj apo slogane në autobusë.
(Kosova Sot Online)