
Reputacioni i Kinës është në rrezik nëse ndihmon Rusinë, thotë BE

Reputacioni i Kinës është në rrezik nëse ndihmon Rusinë të shmanget nga sanksionet ndërkombëtare, ka paralajmëruar presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, pas një samiti virtual me presidentin e Kinës Xi Jinping.
“Një zgjatje e luftës dhe më shumë ndërprerje në ekonominë botërore nuk është në interesin e askujt”, shkroi ajo në Twitter.
Kina ka refuzuar të dënojë Rusinë për pushtimin e saj – ndërsa BE-ja ka vendosur sanksione ndaj Moskës, shkruan CNN.
Xi tha se Kina dhe Europa duhet të ofrojnë stabilitet në një botë të paqëndrueshme, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, por nuk duket se kanë ofruar ndonjë propozim për t’i dhënë fund luftës.
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, tha më vonë se Kina kishte rënë dakord se “kjo luftë po kërcënon sigurinë globale dhe ekonominë botërore”.
Të enjten, një shef i spiunazhit në Mbretërinë e Bashkuar tha se interesat afatgjata të Kinës nuk ndihmohen duke u lidhur me Moskën.
(Kosova Sot Online)