Konjufca: Gjatë Ramazanit ka mundësi të ofrohemi më shumë me Krijuesin tonë

  • A.P /
  • 01 April 2022 - 22:35
Konjufca: Gjatë Ramazanit ka mundësi të ofrohemi më shumë me Krijuesin tonë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar besimtarët e konfesionit islam për muajin e Ramazanit. Në Facebook, ai ka ndarë një shënim, ku ka shkruar se muaji i Ramazanit është sprovë hyjnore e harmonisë, dhembshurisë dhe dashamirësisë.

“Muaji shenjtë i Ramazanit është sprova hyjnore e harmonisë, dhembshurisë dhe dashamirësisë. Ai nxit bujarinë, mirësinë dhe ndjenjën e bukur të solidaritetit dhe vëllazërisë. Ritualet shoqërohen me lutje të shtuara dhe përpjekje më të bashkërenduara për të dëgjuar e recituar fjalët e Kuranit të Shenjtë dhe për të jetuar një jetë etike.  Përveç disiplinës fizike, Ramazani inkurajon edhe rritjen e detyrave intelektuale dhe shpirtërore. Agjërimi kërkon t’i nënshtrojmë pasionet tona të ulëta dhe t’i luftojmë zakonet e këqija shoqërore. Shërben gjithashtu si një kujtesë e rëndësishme e përgjegjësisë sonë sociale dhe etike ndaj mbarë njerëzimit”, ka shkruar Konjufca.

Për Konjufcën, muaji i Ramazanit ka mundësia të afrojë njerëzit me Krijuesin.

“Në këtë mënyrë, muaji i Ramazanit ka mundësi të na afrojë edhe më shumë me Krijuesin tonë. Le ta ripërtërijmë angazhimin dhe përkushtimin ndaj kërkimit tonë shpirtëror, që e çon secilin prej nesh kah ndriçimi shpirtëror dhe drejt përmbushjes së përgjegjësive tona, duke aspiruar virtytet më të larta. Për të gjithë besimtarët e fesë islame dëshiroj që ky muaj i Ramazanit të jetë i frymëzimit për vepra të mira dhe i shpërblimit të sakrificës e durimit! E paqit sa më të lehtë agjërimin tuaj!”, ka shkruar ai.


(Kosova Sot Online)