
Veliu për punësimet e Vetëvendosjes: Këta po punësojnë pa konkurruar hiç, kapje e ashpër e shtetit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka komentuar punësimet partiake e familjare të Lëvizjes Vetëvendosje në Borde e ndërmarrje publike, e me fokus punësimet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës, ku 128 të punësuar, shumica ishin njerëz të partisë në pushtet.
Veliu ka thënë se ajo çfarë po ndodh që nga ardhja e Qeverisë “Kurti 2”, me Ndërmarrjet Publike, bordet e institucione të tjera ku po punësohet njerëz të Lëvizjes Vetëvendosje është kapje e ashpër e institucioneve të pavarura.
“Veç edhe ma keq sesa ato dukuritë që ata i kanë kritikuar, bile përpara janë respektuar edhe procedurat, tash nuk po respektohen, po ndodhin emërime pa konkurs nëpër Borde, institucione të pavarura…. është shumë më keq…. kapje shumë ashpër e institucioneve”, ka thënë Veliu.
Ndërkohë, pak më herët Lidhja Demokratikët e Kosovës përmes një konferencë për shtyp punësimet e njerëzve të VV-së në KEK i ka quajtur si afera pronto e VV-së.
LDK ka kërkuar shkarkimin e Komisionit Vlerësues në KEK dhe hetim urgjent nga prokuroria e Kosovës.
(Kosova Sot Online)