Shefi i Zyrës së BE-së i përgjigjet presidentes Osmani rreth kritikave për njëanshmëri

  • E.K /
  • 06 April 2022 - 14:23
Shefi i Zyrës së BE-së i përgjigjet presidentes Osmani rreth kritikave për njëanshmëri

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë që ka pasur mbrëmë ka drejtuar kritika në adresë të Bashkimit Evropian për trajtim të pabarabartë të Kosovës dhe llastim të Serbisë. Kjo nuk është hera e parë që presidentja kritikon Brukselin për një qasje të tillë.

Pas një deklarate të tillë të bërë mbrëmë nga Osmani, sot në një organizim ka folur shefi i Zyrës së BE-së, Thomas Szunyog, duke thënë se BE-ja i trajton barabartë Kosovën dhe Serbinë megjithatë ka theksuar se Prishtina dhe Beogradi janë në shkallë të ndryshme të procesit të anëtarësimit në BE.

“Trajtimi është i njëjtë, por proceset janë në faza të ndryshme dhe Kosova është aty ku është sepse ka filluar me vonesë. BE pret që Serbia të përafrohet me politikat e BE. Nëse nuk jeni të përafruar nuk mund të futeni në BE. Pritjet janë që Serbia do të përafrohet me të gjitha masat. Normalisht që nuk është vetëm BE-ja, është përgjegjësia e Kosovës të përparojë në rrugëtimin drejt BE-së, të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë është kushti i parë. Kosova mund të aplikojë për anëtarësim në BE, hapi i parë është përmbyllja e suksesshme e dialogut për marrëveshje finale”, ka thënë shefi i Zyrës së BE-së.

Kjo deklaratë e tij vjen një ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi BE-në për anshmëri në raport me Serbinë, duke thënë se ka raste që edhe e kanë akomoduar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, përkundër sjelljes së tij “autokrate”.

“Unë i besoj BE si ndërmjetësuese. Bashkimi Evropian në këtë vitin e fundit ka shumë raste që ka dëshmuar anshmëri në raport me Serbinë, ka raste që e kanë akomoduar Vuçiqin përkundër sjelljes së tij autokratë dhe ka raste kur Kosova nuk është trajtuar si palë e barabartë”, ka deklaruar mbrëmë Osmani mbrëmë.

Osmani kishte shtuar se e kanë kërkesë të vazhdueshme ndërrimin e kësaj qasje nga Bashkimi Evropian.

(Kosova Sot Online)