Murati, Haliti, Tahiri, si u përplasën pushteti me opozitën për punësimet partiake

  • E.K /
  • 07 April 2022 - 12:53
Murati, Haliti, Tahiri, si u përplasën pushteti me opozitën për punësimet partiake

Si zakonisht, edhe kjo seancë e Kuvendit të Kosovës po shoqërohet me përplasje, akuza e kundërakuza. Ministri Hekuran Murati është përplasur me deputetët e opozitës për punësimet në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe ndihmat e ndara nga Qeveria. Ndërkohë, nga PDK’ja kanë reaguar ashpër për deklaratën e shpeshtë të qeveritarëve se “qe 20 vjet është vjedhur”.

Me fillimin e seancës së sotme, opozita filloi me punësimet në Korportatën Energjetike të Kosovës, ku u raportuar se janë bërë punësime massive të militantëve të Vetëvendosjes.

Duke folur në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputetja Hykmete Bajrami kujtoi premtimin e kryeministrit Kurti se nuk do t’i punësonin kushërinjtë dhe urimin që ia kishte bërë atij një qytetar.

“Të gjithëve na kujtohet videoja e famshme e kryeministrit Kurti në fushatën e fundit ku thoshte ‘Kushërinjtë janë për dasma, nuk ka me shku në ministri me krejt kushërinjtë’. Dhe në atë video dëgjohej qytetari duke i thënë ‘Të lumtë goja’. Domethënë, qytetarët verbërisht i kanë besu Z. Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Bajrami.

Ish-ministrja e Financave nga foltorja e Kuvendit tha se “nuk dola këtu që të them se nuk ka pasur nepotizëm në të kaluarën”, por shtoi se dëshiron t’ju tregojë qytetarëve se “Lëvizja Vetëvendosje ju ka mshtruar”.

Tahiri i qorton ministrat

Kritika ndaj Qeverisë ka pasur edhe Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri, i cili edhe i qortoi ministrat.

Sipas tij. Qeveria nuk e ka bërë “asnjë ligj që e prek jetën e qytetarit”, derisa iu drejtua ministrave në seancën e sotme të Kuvendit.

Tahiri i tha Qeverisë të bëjë çfarë është bërë për 20 vjet, pasi tha se LVV-ja e ka “marrë Kosovën me çelësa në dorë”.

“E keni marrë Kosovën me çelësa në dorë. Ktheheni 20 vjet… Bëni ju çka kemi bë për 20 vjet… Kryjeni autostradat që janë nisë, kryejini rrugët”, tha ai.

“Leni fjalët, kthejuni punës”, shtoi Tahiri.

Murati mbrohet me Telekom ndaj akuzave për punësimet partiake

Për akuzat e opozitës për punësimet në KEK, u përgjigj Ministri Hekuran Murati.

Ai i ka quajtur manipulime akuzat për punësimin e militantëve dhe familjarëve në Korporatën Energjetike të Kosovës. Në Kuvend, ai tha se “opozita kritikon për çështjet dhe problemet që vet i ka shkaktu”.

Murati tha se Lëvizja Vetëvendosje e ka shpëtuar KEK-un, dhe se më herët nuk kishte pasur kurrë konkurs aty dhe në ndërmarrjet tjera publike.

“Sa për KEK-un, që po përmendet, nëse doni me e pa tamam rezultatin e punës tuaj, qeverisjeve tuaja të kaluara, shikojeni Telekomin”, i tha Murati opozitës. “KEK-u ka shpëtu pikërisht sepse Lëvizja Vetëvendosje s’iu ka lënë me bë me KEK-un çka keni bë me Telekomin”, tha ai.

Konkursin e fundit në KEK, Murati tha se “po mundohen disi ta lidhin me Lëvizjen Vetëvendosje”.

“S’ka të bëjë fare”, tha ai, ndërsa iu drejtua qytetarëve.

“Po i pyes qytetarët tash, se ju e di që s’përgjigjeni drejt. A keni dëgju ndonjëherë në 20 vitet e kaluar që është shpallur konkurs në KEK, Telekom, Postë apo diku tjetër. Unë s’kam dëgju kurrë”, tha ai.

Më herët, Murati tha se “mijëra të punësuar janë punësuar me lista”.

“Është dërguar lista dhe janë punësuar njerëzit”, tha ministri, ndërsa kujtoi se ekziston procesi ankimor për konkursin në KEK.

Deputeti Tahiri e Ministri Murati përplasen në seancë

Tahiri i AAK’së i është drejtuar sërish Ministrit Murati, duke i kërkuar llogari ministrit të Financave, Hekuran Murati lidhur me deklaratat për ndihmën që kjo qeveri u ka ofruar qytetarëve.

Tahiri tha se Kosova nuk ka nisur as me Qeverinë Kurti, e as me ministrin Hekuran Murati.

“E dyta po flet për subvencionime dhe për atë që çdo gjë ka nisur me ju, me ty. Kosova nuk ka nis as me ty, as me juve, ka me vazhdu kanë me ardh të tjerë, por në kohën sa jeni në funksion a ka mundësi me i bë do vepra sepse e keni fuqinë parlamentare dhe buxhetin. Nuk jeni në pandemi”, tha ai.

Më tutje, deputeti i AAK-së deklaroi se kjo qeveri nuk ka dhënë ndihma për qytetarët, por siç ka thënë ai lëmoshë.

Tahiri përmendi edhe mos miratimin e Ligjit për Pagat në sektorin publik.

“Sa i përket ndihmave mos hi në detaje. Nuk ke dhënë ndihma. Ke dhënë lëmoshë. E ke pasur shumë lehtë ministër me vendos në buxhet Ligjin për Paga. Me një të ramë 80 mijë të vrame. Tek zyrtarët publik e ke shumë lehtë me u marr me pagën minimale. Para një jave e keni vendosur Albin Kurtin me sindikatat me fol për pagën minimale”, tha ai.

Lidhur me çështjen e Ligjit të Pagave u kundërpërgjigj, ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ai tha se Ligji i Pagave ka ngecur për shkak të kundërshtimeve nga sindikatat.

“Pagën minimale shumë shpejtë besoj edhe atë do ta rregullojmë. Ka pas kundërshtime nga sindikatat. Normalisht që i kanë arsyet e tyre jo të qëndrueshme, për shkak se asnjë anëtarë i atyre sindikatave nuk preket nga ky vendim e as nga paga minimale, mirëpo janë arsyet politike që sindikatat për të cilat sindikatat nuk do të duhej që të bënin politikë”, ka thënë Murati.

Haliti-VV’së: Mos qitni petulla në ujë

Në këtë seancë, ndërhyri edhe deputeti i PDK’së, Xhavit Haliti, i cili reagoi për deklaratën e shpeshtë të qeveritarëve se “qe 20 vjet është vjedhur”.

Ai tha se po i bën përshtypje se si Qeveria nuk po tregon se kush ka vjedhur, ndonëse tha se “keni arrit me e zbulu hajninë e madhe për 20 vjet”.

Haliti, duke iu përgjigjur ministrit të Financave, Hekuran Murati, tha se LVV-ja e ka pushtetin dhe mund ta bëjë këtë.

“Mirë bre. A e keni pushtetin? A ka gjykata këtu? A ka prokurori këtu? Rrugët për t’u rregulluar këto çështje. Rruga për ta saktësu të vërtetën rreth asaj se a është dikush i inkriminuar dhe a duhet të përgjigjet para drejtësisë, është rruga e drejtësisë, rruga e organeve të ndjekjes”, tha ai.

Më tej, Haliti e citoi ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, ndërsa e këshilloi qeverinë që të punojë.

“Mos na shitni… mos na qitni petlla në ujë, që thojke Jakup Krasniqi. Ju keni obligimin e juaj, punoni si qeveri”, tha ai.

“I keni trashëgu të gjitha, e keni trashëgu edhe lirinë nga ata që i quani hajdut dhe vazhdoni me përmirësimin e gabimeve të atyre, përmirësojeni vetveten, e mos hajdeni çdo seancë me na tregu..”, tha në fund deputeti i PDK-së.

Seanca është duke vazhduar ende.

(Kosova Sot Online)