“S’ke me gëzu pensionin, ka me të vra para Komune” – Detaje se si biznesmeni nga Prizreni për një tender kanosi zyrtarët komunalë

  • E.K /
  • 07 April 2022 - 12:55
“S’ke me gëzu pensionin, ka me të vra para Komune” – Detaje se si biznesmeni nga Prizreni për një tender kanosi zyrtarët komunalë

Biznesmeni prizrenas, Granit Paçarizi, përfundoi në pranga të martën e 5 prillit, pasi që dyshohet se ka kanosur personat zyrtarë të Drejtorisë për Shërbime Publike në Komunën e Prizrenit.

Të njëjtit Gjykata Themelore në Prizren sot i ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej 30 ditësh, raporton Gazeta Sinjali.

Por si ndodhi e gjithë ngjarja, ku Granit Paçarizi kanosi personat zyrtarë lidhur me një tender për instalimin e ndriçimit publik në Komunën e Prizrenit?

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se më datë 28 mars, në orët e pasdites, Paçarizi kishte shkuar në zyrat e objektit të Komunës së Prizrenit, respektivisht në zyrën e menaxherit të projektit S.T., dhe drejtorit të Shërbimeve Publike, Ç.L.

Menaxherin S.T., e kishte këcënuar me vrasje, duke i thënë se “ka me të vra para Komune, nuk ke me gëzu pensionin”, ndërsa drejtorin Ç.L., e kishte kanosur me fjalët se “Nuk guxon kush me ndërpre kontratën”.

E kjo nuk është hera e parë që biznesmeni ka probleme me ligjin, pasi në vitin 2013 Paçarizi ishte përfshirë në një përleshje me armë zjarri, ku ishin plagosur disa persona.

Ai ishte akuzuar për armëmbajtje pa leje, për çka edhe ishte shpallur fajtor. Por, prokurori e kishte rihapur rastin, duke e akuzuar kështu Paçarizin për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’.

Për kryerjen e kësaj vepre penale, ai ishte dënuar me 2 vite e gjysmë burgim dhe ishte dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.

E më 1 janar të vitit 2020, ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me anë të një dekreti kishte falur tre persona të dënuar për vepra të ndryshme penale.

Njëri nga të dënuarit që u fal nga Thaçi ishte edhe biznesmeni, Granit Paçarizi. Nga 2 vite e gjysmë sa ishte dënuar, atij i ishin falur 1 vit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

(Kosova Sot Online)