Haxhiu prezanton Projektligjin për KPK-në, Tahiri thotë se LVV po përzihet në drejtësi
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka prezantuar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për Këshillin Prokurorial. Me ndryshimet që parashihet të bëhen në ligjin për KPK-në, Haxhiu tha se nga 9 anëtarë, KPK do t’i ketë 6 të tillë, prej të cilëve dy do të dërgohen nga Kuvendi dhe një nga Avokati i Popullit.
Haxhiu tha se KPK ka qenë i ndikuar politikisht dhe nga grupet e interesit.
“Këshilli Prokurorial ka qenë i ndikuar nga grupet e interesit, por edhe politika. Të gjithë jemi dëshmitarë se përkundër skandaleve që kemi parë publikisht nuk janë ndërmarrë veprime serioze për adresimin e tyre”, theksoi ajo.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se është shkelje kushtetuese reforma të cilën e paraqiti ministrja Haxhiu.
Tahiri tha se “kjo e cenon pavarësinë e Këshillit Prokurorial”.
Ai u ankua se Haxhiu nuk i ka ndarë me deputetët komentet e Komisionit të Venecias.
” Ky projektligj fatkeqësisht siguron veç një gjë, prezencën e politikës në vendimmarrje në Këshillin Prokurorial”, tha ai.
Tahiri e quajti të “patejkalueshëm” Projektligujin, i cili sipas tij, “nuk siguron reformë”.
Ai tha se Qeveria dëshiron ta kushtëzojë vendimmarrjen për kuorumin në mbledhjet e KPK-së.
(Kosova Sot Online)
