Falsifikoi aktgjykimin përmes së cilit mori në pronësi 13 hektarë tokë të shtetit, arrestohet 77-vjeçari nga Peja

  • E.K /
  • 08 April 2022 - 08:15
Falsifikoi aktgjykimin përmes së cilit mori në pronësi 13 hektarë tokë të shtetit, arrestohet 77-vjeçari nga Peja

Një 77-vjeçar nga Peja është arrestuar mbrëmë, pas hetimeve disa mujore, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “falsifikim i dokumenteve”.

Sipas Policisë, ai dyshohet se ka falsifikuar një aktgjykim të vitit 1976 dhe me të ka arritur të bëjë bartjen e një prone prej 13 (trembëdhjetë) hektarëve në pronësi të tij. Prona gjendet në fshatin Qyshk të Pejës dhe ajo pronë deri më 8 tetor të vitit të kaluar ka qenë në pronësi të Institutit të Bujqësisë.

“I dyshuari ishte vendosur në stop-listë nga policia dhe sot në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardh është ndaluar dhe është dërguar në Pejë për intervistimit nga hetuesit policorë. I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit me aktvendim nga prokurori i njëjti është dërguar në ndalim deri në 48 orë”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Pejë, pas hetimeve disa mujore kanë arritur të sigurojnë prova dhe dëshmi se i dyshuari M.B., (viti i lindjes 1943, mashkull kosovar), ka kryer veprat penale: ’legalizimi i përmbajtjes së rreme’ dhe ‘falsifikimi i dokumenteve’.

I lartcekuri dyshohet se ka falsifikuar një aktgjykim të vitit 1976 dhe me të ka arritur të bëjë bartjen e një prone prej 13 (trembëdhjetë) hektarëve në pronësi të tij. Prona gjendet në fshatin Qyshk të Pejës dhe ajo pronë deri më 08.09.2021 kanë qenë në pronësi të Institutit të Bujqësisë.

I dyshuari ishte vendosur në stop-listë nga policia dhe sot në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardh është ndaluar dhe është dërguar në Pejë për intervistimit nga hetuesit policorë. I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit me aktvendim nga prokurori i njëjti është dërguar në ndalim deri në 48 orë.

(Kosova Sot Online)