A e dini kur do t’i heqë Kosova masat kundër Covid-19 dhe cilat janë aktualisht në fuqi
Kosova vazhdon që të ketë në fuqi disa masa të vendosura kundër virusit Covid-19. Ndonëse javëve të fundit janë shënuar më pak raste me Coronavirus, krahasuar me muajt e kaluar, masat e përgjithshme kundër pandemisë nuk kanë ndryshuar qysh nga 1 marsi. E nga MSh-ja kanë thënë se ato do të hiqen ose do të shtohen varësisht nga situata epidemiologjike më tutje.
Ndonëse disa shtete evropiane tashmë veçse i kanë hequr masat e vendosura kundër virusit Covid-19, në Kosovë nga 1 marsi janë në fuqi disa masa , siç po cilësohen të lehtësuara. E Ministria e Shëndetësisë siç duket nuk e ka në plan që t’i heqë tërësisht ato.
Nga Zyra për Informim në MSh i thanë se heqja ose shtimi i masave kundër Coronavirusit, varet nga zhvillimi i mëtejmë i situatës epidemiologjike në vend.
Rol në vendimi për masa sipas MSh-së ka edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
“Në Kosovë janë në fuqi një numër i masave minimale kundër COVID-19. Nëse do të hiqen këto që janë apo të kthehet ndonjë, kjo varet nga zhvillimi i mëtejm i situatës epidemiologjike, rekomandimet që jep IKSHPK dhe mekanizmat e tjerë kundër COVID-19 që funksionojnë në Kosovë. Popullata rekomandohet që të vazhdojnë të respektojnë masat që janë në fuqi dhe të vaksinohen kundër COVID-19, ata që se kanë bërë këtë, me që në disa shtete (edhe të Evropës) tashmë janë regjistruar raste të COVID-19 të shkaktuara nga nën-variantet e Omicron, si BA 1. dhe BA 2”, thuhet në përgjigjen e MSh-së
Deri më tani tërë masat i kanë hequr Mbretëria e Bashkuar, Suedia dhe Danimarka.
Edhe vendet e tjera janë rrugës për t’i hequr të njëjtat pasi raportohet për një situatë epidemiologjike më të lehtë dhe se variantet e reja kanë simptoma më të lehta dhe shtrimi në spitale është më pak i mundshëm nga infektimi me to.
Cilat masa i ka ende në fuqi Kosova?
Nga 1 marsi në Kosovë janë në fuqi disa masa kundër virusit Covid-19.
Për të hyrë në Kosovë, çdo person duhet të posedojë certifikatën e për vaksinimin e plotë me dy doza ose me një dozë të vaksinës Janssen, që nuk ka kaluar më shumë se 12 muaj nga marrja e dozës së fundit, certifikatën e vaksinimit me një dozë të shoqëruar me testin RT-PCR negativ për Covid-19 jo më të vjetër se 48 orë, dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 në 90 ditët e fundit, dëshmi se personi e ka marrë dozën e tretë / përforcuese dhe dëshmi të testit RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë.
Në fuqi vazhdon të jetë edhe masa që të gjithë punonjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve publike qendrore e lokale, e subjektet e tjera të posedojnë dëshmi të vaksinimit për të hyrë në ambientet e punës, ose dëshmi nga mjeku se ai person është i liruar nga vaksinimi.
Edhe bartja e maskës në ambiente të mbyllura është një ndër masat kundër Covid-19 që vazhdon të jetë në fuqi.
Bartja e maskës është obligative edhe për të përdorur transportin publik dhe privat në Kosovë.
Me masat e vendosura me 1 mars janë lejuar edhe ceremonitë dhe ritet fetare.
Ndërkaq, nga 7 marsi në Kosovë është lejuar veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore deri në 50% të kapaciteteve.
Edhe gastronomia dhe qendrat tregtare janë liruar që ta vazhdojnë normalisht punën duke respektuar disa masa.
(Kosova Sot Online)
