Hoti: Krerët e shtetit patën më shumë vizita në Lindje sesa në Perëndim, marrëdhëniet me SHBA-në u lënduan

  • E.K /
  • 12 April 2022 - 14:19
Hoti: Krerët e shtetit patën më shumë vizita në Lindje sesa në Perëndim, marrëdhëniet me SHBA-në u lënduan

Ish-kryeministri Avdullah Hoti e ka cilësuar Qeverinë Kurti si njërën nga qeveritë më të dobëta në diplomaci. Në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për politikën e jashtme, Hoti tha se e ka pritur këtë gjendje.

Ndër tjerash, ai e kritikoi kryeministrin Albin Kurti për degradim në dialogun me Serbinë si dhe për shumë vizita në Lindje.

“Gjatë këtij viti kemi parë shumë vizita të krerëve të shtetit në Lindje. Shumë më tepër vizita në Lindje sesa në Perëndim.Shumë vizita dhe seminare ideologjike politike në Ballkan sesa në vendet perëndimore. Dhe kjo mua më duket se është krejt e rastësishme, por besoni që kjo tregon për fokusin e politikës së jashtme të Kosovës”, tha Hoti.

Ai tha se “kryeministri në forume ndërkombëtare dhe rajonale më shumë ligjëron për lidhjet e Serbisë me Rusinë sesa për vlerat e Kosovës”.

Hoti përmendi gabime në diplomaci dhe shkarkimet e diplomatëve. Ai përmendi edhe faktin se nuk ka ardhur asnjë njohje.

“Këto gabime po vijnë sepse diplomatët që janë shtylla e politikës së jashtme po anashkalohen ose po shkarkohen në vazhdimësi dhe më duhet të them – me gjithë respektin për disa diplomatë – me disa praktikantë që janë duke i mësu termet tash në diplomaci”, tha ai.

Deputeti i LDK-së theksoi se “shkarimet e diplomatëve ishin hakmarrje e pastër politike”.

Disa prej këtyre shkarkimeve, Hoti tha se “kanë krijuar vakum në diplomaci”, si dhe “kanë dëmtu në disa raste marrëdhëniet me shtetet nikoqire”.

“Marrëdhëniet me SHBA-në janë lënduar. ose po e zbus pak, nuk janë në nivelin që kanë qenë”, tha ndër tjerash Avdullah Hoti.

(Kosova Sot Online)