
Ndarja e 100 eurove nga Qeveria, reagon QIKA: Nuk ka dalje nga kriza, pa dalë gratë nga kriza

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të ndarë nga 100 euro për pensionistët, studentët, punëtorët e sektorit publik dhe atij privat, shkruan Gazeta Express.
QIKA vlerëson se këto pagesa paraqesin lëmoshë një mujore dhe jo zgjidhje afatgjate e problemit.
Organizata shprehu shqetësimin se këto mjete nuk do të ndahen për gratë që nuk janë studente, të punësuara apo pensionere.
“Nga masat e reja në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike të publikuara sot nga Qeveria e Kosovës do të përfitojnë vetëm të punësuarit, studentët, pensionistët, familjet në nevojë etj. Këto pagesa, që edhe ashtu më shumë duken një lëmoshë një mujore se sa zgjidhje afatgjate e problemit, nuk do të jepen për vajzat dhe gratë që nuk janë studente, të punësuara apo pensionere. Vetëm rreth 15% e grave në Kosovë janë të punësuara dhe shumica e tyre janë komplet të përjashtuara nga tregu i punës”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
Nga masat e reja në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike të publikuara sot nga Qeveria e Kosovës do të përfitojnë vetëm të punësuarit, studentët, pensionistët, familjet në nevojë etj. Këto pagesa, që edhe ashtu më shumë duken një lëmoshë një mujore se sa zgjidhje afatgjate e problemit, nuk do të jepen për vajzat dhe gratë që nuk janë studente, të punësuara apo pensionere. Vetëm rreth 15% e grave në Kosovë janë të punësuara dhe shumica e tyre janë komplet të përjashtuara nga tregu i punës.
Nuk është hera e parë që në kohë krizash gratë janë ato që vuajnë më së shumti nga varfëria dhe mungesa e qasjes në të mirat publike. Nuk ka dalje nga kriza, pa dalë GRATË nga kriza.
QIKA fton institucionet e vendit që urgjentisht të trajtojnë varfërinë e grave dhe të përfshijnë analizën gjinore në secilën politikë që prodhojnë.
(Kosova Sot Online)