A mundet dikush nga Kosova të jetë President i Shqipërisë?

  • A.P /
  • 14 April 2022 - 16:57
A mundet dikush nga Kosova të jetë President i Shqipërisë?

Në Shqipëri po bëhen gati për të nisur procesin e negociatave ndërpartiake për emrin e presidentit të ri. Zgjedhja e dikujt nga Kosova president në Tiranë është pothuajse e pamundur edhe pse kjo shpesh aktualizohet në shtypin e Tiranës. Mentor Nazarko foli për pengesën e madhe që s’e lejon këtë dhe analizoi se çfarë mund ta ketë shkaktuar reagimin e vrazhdë të Ramush Haradinajt kur dikush kishte shkruar se ai mund të ishte kandidat.

Çdokush në Prishtinë që mund të ëndërrojë të bëhet president i Shqipërisë, duhet të ketë lindur atje, përveçse të jetë shtetas shqiptar. Përndryshe, shkelet Kushtetuta. Për këtë ka folur Mentor Nazarko, analisti i çështjeve rajonale nga Shqipëria i cili sheh një dimension pozitiv në hipotezat që presidenti i ri të jetë nga Kosova. Ai i tha se thashethemet që e mbajnë të aktualizuar këtë çështje mund të prodhojnë diçka të mirë.

“Në këtë që ju e quani aktualizim, ka një përmasë, ka një dimension pozitiv sepse gjithë ai animozitet që përpiqen do mendimtarë, do politikanë ta krijojnë midis dy pjesëve të opinionit publik kombëtar – animozitet fërkues, animozitet ndarës, animozitet përçarës – në njëfarë mënyre neutralizohet nga kjo, nga ky diskutim i përgjithshëm për atë se kush do të jetë president i Shqipërisë. Pra, shqiptarët ndjehen më afër me njëri-tjetrin dhe kjo është përmasa pozitive e këtij zhvillimi”, tha ai.

(Kosova Sot Online)