Kritiku i madh i Putinit kërkesë Perëndimit: Nisni një luftë të gjerë informacionesh kundër Kremlinit

  • A.P /
  • 14 April 2022 - 18:50
Kritiku i madh i Putinit kërkesë Perëndimit: Nisni një luftë të gjerë informacionesh kundër Kremlinit

Kritiku i madh i presidentit rus Vladimir Putin dhe politikani opozitar, Alexey Navalny, u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që të nisin një luftë informacionesh kundër Kremlinit, duke blerë reklama nga mediat e pavarura.

Navalny beson se një kampanjë kundër luftës në shkallë të gjerë, me target rusët, duhet të lansohet në rrjete sociale.

“Për të vrarë ukrainasit, Putinit i duhet realisht mbështetja e luftës përbrenda Rusisë. Gjëja e parë për ta kuptuar është se lufta e Rusisë nuk mbështetet nga 75% e popullatës ruse. Kjo është një gënjeshtër e Kremlimit”, ka thënë Navalny.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se si pasojë e cenzurës dhe propagandës, shumica e rusëve kanë një ide tërësisht të pavërtetë për luftën në Ukrainë.

“Por pavarëësisht bllokimit të rrjeteve sociale, shumica e të rriturve rusë përdorin rrjetet në baza të përditshme, siç janë Meta (Facebook, Instagram, Ëhatsapp) dhe Google (Youtube)”, ka thënë Navalny.

“Na duhet reklamim. Shumë reklamim. Një fushatë kombëtare kundër luftës fillon me reklama. Mbi 200 milionë shfaqje në ditë për të rrokur secilin përdorues rus të internetit dy herë. Në të gjithë Rusinë, qytete dhe fshatra. Në çdo tablet dhe telefon”, ka shtuar ai.

Navalny, i cili edhe sot mbahet si i burgosur politik në kushte të rënda në Rusi, ka kërkuar që ky propozim i tij të mbështetet nga Presidenti amerikan Joe Biden, Kryeministri britanik Boris Johnson dhe përfaqësuesit e BE-së Ursula von der Leyen dhe Josep Borrell.

Kështu, sipas Navalnyt, ata mund t’ua tregojnë rusëve të vërtetën e luftës në Ukrainë.

(Kosova Sot Online)