Drejtori i Alban Hysenit në Gjilan paralajmëron rikthimin e zyrtarëve të PDK-së në komunë pas lirimit nga akuzat për korrupsion

  • E.K /
  • 15 April 2022 - 11:53
Drejtori i Alban Hysenit në Gjilan paralajmëron rikthimin e zyrtarëve të PDK-së në komunë pas lirimit nga akuzat për korrupsion

Drejtori i Financave në komunën e Gjilanit që bart funksionin e kryetarit të degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, ka paralajmëruar rikthimin në komunë të zyrtarëve të PDK-së të cilët u liruan nga aktakuzat për korrupsion përfshirë ish-kryetarin e Komunës, Qemajl Mustafa.

Rashiti ka shkruar se së shpejti mund të kthehen në vendet e tyre të punës zyrtarët e PDK-së të cilët u liruan nga aktakuzat për korrupsion para dy ditësh nga Gjykata Themelore në Pejë.

“Ri-kthimi i zyrtarëve të PDK-së do të bëhet shpejtë dhe do ta fuqizon qeverisjen komunale në Gjilan. Së shpejti në komunën e Gjilanit mund të kthehen në vendet e tyre të punës zyrtarët më të mirë, të cilët ishin suspenduar padrejtësisht nga ish qeverisja e LDK-së”, ka shkruar Rashiti.

Ai ka njoftuar se do të iniciojë ngritjen e disa padive ndaj hetuesve dhe prokurorëve në Gjilan.

“Unë si kryetar i degës së PDK-së nl Gjilan, së shpejti do të inicojë ngritjen e disa padive ndaj disa hetuesve dhe prokurorve të Gjilanit dhe të Prokurorisë Speciale, të cilët me veprimet e tyre të kundërligjshme, (të konstatuara edhe në vendimin e Gjykatës) kanë ngritur aktakuza të pabaza për krim të organizuar. Dikush do të jap llogari dhe do të paguaj për dëmet e pa-riparueshme. Paditë tona do të jenë të bazuara në fakte të pamohueshme, për të cilat sigurisht do të marrin dënimin e merituar, ata të cilët kanë keqpërdorur detyrën e tyre në institucionet e drejtësisë”, ka thënë Rashiti.

(Kosova Sot Online)