Dosja policore për të kaluarën e errët të biznesmenit të dyshuar në rastin Brezovica

  • A.P /
  • 18 April 2022 - 22:53
Dosja policore për të kaluarën e errët të biznesmenit të dyshuar në rastin Brezovica

Në një dosje të “trashë” policore prej tetë lëndëve, ku përfshihen dyshimet për falsifikim të dokumenteve zyrtare, përfshirje në aksident me lëndime dhe aksident me fatalitet, dyshime për sulme, dyshime për dëmtime kriminale, lakohej emri i Abedin Salihut, pronar i kompanisë “Dino”, i cili është i dyshuar i Prokurorisë për rastin “Brezovica”.

Abedin Salihu, pronar i kompanisë “Dino”, është i dyshuar i Prokurorisë për rastin “Brezovica”, për të cilin rast deri më tani janë disa persona të arrestuar.

Salihu, sipas një hulumtimi të botuar në gazetën “Insajderi” është ende në arrati, pasi që, siç ka raportuar ky medium, shteti ka dështuar ta kap gjatë aksionit të bastisjes në shtëpinë e tij në Lipjan në fillim të marsit 2022, për shkak të dyshimeve për përfshirjen e tij në rastin “Brezovica 3” .

Salihu është pronar i njërit prej hoteleve më luksoze në Brezovicës, “Brezovica Hotel Spa”.

Ndërtimi i këtij hoteli dyshohet të jetë bërë në kundërshtim me Ligjin që mbron Parkun Nacional “Sharri”, pretendim ky që Salihut i ka krijuar probleme me shtetin. Ai tash dyshohet për “degradim dhe shkatërrim” të ambientit në Brezovicë.

Portali “Front Online” ka siguruar një dokument zyrtar të Policisë së Kosovës, ku dëshmohet se biznesmeni Abedin Salihu deri në vitin 2013 ka pasur tetë lëndë të regjistruara.

Abedin Salihu- Dino ka qenë i dyshuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare më 23.3.2006 në Klinë. Më 17.11.2009, sipas Policisë së Kosovës, Salihu dyshohej për uzurpim të pronës dhe kërcënim, rast ky i referuar në Prokurori, raporton Front Online.

Më 8 shkurt 2007, Salihu, sipas Policisë së Kosovës, dyshohej për përfshirje në një aksident me lëndime, përderisa më 25 mars 2002 ishte i dyshuar për sulm, i cili rast poashtu ishte referuar në Prokurori.

Një rast të tillë, si i dyshuar për sulm, Abedin Salihu e ka pasur edhe në vitin 2006 te “Motel Porta”, i cili rast poashtu ishte i referuar ne prokurori. Në vitin 2004 ishte i dyshuar për dëmtim kriminal, ndërsa më 16 dhjetor 2006 ishte i dyshuar për sulm të rëndë, rast ky poashtu i referuar në Prokurori. Ndërsa më 1 nëntor 2002 dyshohej për një aksident me fatalitet, i cili rast poashtu ishte referuar në Prokurori.


(Kosova Sot Online)