Sheholli: Sulmi nuk ka ardhur nga territori i Serbisë, i kam rekomanduar kryeministrit ta bëjnë një mbledhje në veri

  • A.P /
  • 18 April 2022 - 21:32
Sheholli: Sulmi nuk ka ardhur nga territori i Serbisë, i kam rekomanduar kryeministrit ta bëjnë një mbledhje në veri

Analisti dhe drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të mbajnë një mbledhje në veri të Kosovës.

Sheholli thotë se është e nevojshme që të fillojë komunikimi me serbët e Kosovës nga qeveria.

“Është shumë i nevojshëm bashkëbisedimi me serbët e Kosovës. Këtë e them nga kontaktet e përditshme që kam. Madje i kam propozuar edhe kryeministrit dhe Presidentes që të vijnë në veri e pse jo të vizitojnë edhe universitetin atje. Kemi nevojë që ata të vizitojnë dhe të fillojnë komunikimin me zyrtarët serbë në Kosovë. Ka edhe shqiptarë që angazhohen në këto komuna. Nëse nuk veprohet po u japim mundësinë këtyre grupeve kriminale që të veprojnë”, thotë ai

Tutje ai komenton deklaratën zyrtare të Policisë për sulmin, ku thuhej se nuk dihet saktë a ka ardhur sulmi nga territori i Serbisë apo i Kosovës.

“Fati që ka qenë automjeti i blinduar. Atë ditë e kam dëgjuar drejtorin e policisë që nuk ishin të sigurt prej nga erdhi sulmi. Thanë se kinse ka ardhur granata e gjuajtjet nga Serbia. Por siguresa është gjetur shumë afër. Është e pamundshme nga 300 metra të jetë bërë. E pamundshme të hidhet granata nga atje. Ta quajmë sulm terrorist sic e ka emrin. Por edhe ti themi gjërat sic janë”, tha ai.

Sheholli shton se siguresa e granatës është gjetur shumë afër makinave të policisë.

“Nëse themi se e kanë bërë nga Serbia ka konotacion tjetër. Mund të themi se na ka sulmuar shteti i Serbisë dhe duhet tu japim përgjigje tjetër. Ato rrugët që po thuhet se janë mbyllur, ato janë mbyllur moti. Ka kohë të madhe që atje. E ftoj edhe një herë zoti Kurtin që të marrë qeverinë dhe të mbajë mbledhje në veri. Leposaviq apo Zveqan. Do të ishte shumë mirë që një mbledhje të mbahet në atë pjesë të Kosovës”, përfundoi ai.


(Kosova Sot Online)