Ky është deputeti i LDK-së që e kishte planifikuar opozita për ta vendosur në krye të Komisionit Hetimor për Energjinë

  • A.P /
  • 20 April 2022 - 15:40
Ky është deputeti i LDK-së që e kishte planifikuar opozita për ta vendosur në krye të Komisionit Hetimor për Energjinë

Partitë opozitare e kishin planifikuar deri në detaje formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë.

Media merr vesh se në krye të këtij komisioni ishte planifikuar të vendosej deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.

“Driton Selmanaj është paraparë të jetë kryesues i Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë”, thonë burime.

Sipas këtyre burimeve, Selmanaj madje as nuk ishte nënshkruar fare tek lista e deputetëve për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar.

Ndërkohë, askush nga opozita nuk ka dashur të flas në lidhje me atë se a ishte planifikuar që Driton Selmanaj të jetë në krye të këtij komisioni.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së Driton Selmanaj në një debat televiziv ka akuzuar Vetëvendosjen se po tenton t’ia ndaloj opozitës një instrument të cilin e garanton Kushtetuta e Kosovës.

Selmanaj ka theksuar se askush nuk mund ta ndalë një iniciativë të tillë të opozitës, kur kemi parasysh faktin se janë mbledhur nënshkrimet e 40 deputetëve për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Energji.

Ndërkohë, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari- Lila ka theksuar se opozita ka tentuar jashtëligjshëm të formojë komision hetimor parlamentar.

Sipas saj, iniciativa nuk ka qenë vetëm e PDK-së, por e të gjitha partive opozitare dhe për pasojë, ky komision nuk mund të ketë kryesues.

Kjo bllokadë e Vetëvendosjes ka nxitur reagime të ashpra të opozitës, të cilët kanë paralajmëruar abstenim në seanca dhe në komisione parlamentare, deri në formimin e komisionit hetimor.


(Kosova Sot Online)