Ja sa përfitoi Liburn Aliu nga kolegji privat që sot e favorizoi me marrëveshje

  • A.P /
  • 20 April 2022 - 23:05
Ja sa përfitoi Liburn Aliu nga kolegji privat që sot e favorizoi me marrëveshje

Ministria e Infrastrukturës ka lidhur sot një marrëveshje me Kolegjin “UBT”. 

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje ka nxitur reagime të shumta, meqenëse ministri Liburn Aliu ligjëron vetë në këtë kolegj privat. 

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2021, ai kishte treguar edhe sa para ka pranuar nga UBT-ja.

Bazuar në deklarimin e pasurisë të publikuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Aliu ka marrë nga UBT-ja pagë në vlerë 1 mijë e 128 euro.

Me pagën që ka deklaruar Aliu, me një përllogaritje të thjeshtë, i bie që ai ka përfituar në vit mbi 13 mijë euro.

Aliu në njoftimin për këtë marrëveshje, tha se ajo është bërë në bazë të ligjit. Por si u bë e mundur që të përzgjidhet pikërisht ky kolegj privat ku Aliu është i punësuar në mesin e dhjetëra universiteteve e kolegjeve që ekzistojnë në vend, madje duke anashkaluar edhe universitetin kryesor publik në vend, atë të Prishtinës.

“Sot, nënshkruam marrëveshjen që përcakton kornizat e bashkëpunimit institucional në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Kolegjit “UBT”, në fushat e interesit të përbashkët, në pajtim me kompetencat ligjore, për hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve dhe studimeve të përbashkëta, hulumtime shkencore, organizimin dhe realizimin e forumeve profesionale, konferencave dhe simpoziumeve shkencore, realizimin e këshillimeve profesionale reciproke, ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët, harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojave e tregut të punës, si dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore”, thuhet në njoftimin e ministrit Aliu.

Sipas tij, kjo marrëveshje forcon bashkëpunimin me universitetet, por të paktën në këtë njoftim, ka bërë të ditur se bëhet fjalë vetëm për një institucion të arsimit të lartë, i cili nuk e ka gradën e universitetit, por është kolegj, dhe atë kolegj ku vetë ministri Aliu është i punësuar me pagë, në bazë të deklarimit të tij të pasurisë për vitin 2021.

“Kjo marrëveshje e bashkëpunimit është reflektim i zotitmit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për të forcuar bashkëpunimin me universitetet, në këtë rast me UBT – Higher Education Institution, në mënyrë që të jetësohet kjo praktikë në aktivitetet e përditshme të Ministrisë. Kjo qasje do të kontribuojë që planifikimi dhe orientimi strategjik, si dhe të gjitha vendimet që merren, të kenë bazë shkencore dhe në këtë mënyrë universitetet tona të japin kontributin e tyre në procese të rëndësishme”, thuhet në njoftimin e ministrit Aliu.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje ka nxitur reagime të shumta. Ish-këshilltari i kryeministrit Kurti, Shkëlzen Gashi, e ka quajtur shkelje të premtimeve të Vetëvendosjes të cilët kanë proklamuar se do të mbështesin institucionet e arsimit të lartë.

“Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, paska nënshkruar sot një marrëveshje me kolegjin privat UBT. Pra, jo me UP-në, ashtu siç ka proklamuar LVV për pothuajse një dekadë, por me një kolegj privat, nga i cili, për më keq, Ministri Aliu edhe merr pagë. Kjo është shkelje e premtimeve të LVV-së për mbështetje të institucioneve publike të arsimit të lartë dhe konflikt i pastër i interesit. Por, kjo është edhe test për Kryeministrin Albin Kurti”, ka shkruar Gashi.

Ndërkaq ish-anëtari i VV-së, Rron Gjinovci, ka thënë se qeveria Kurti 2 do të shkojë drejt dështimi kolosal me një qasje të tillë.

“Memorandum me privatët qeveria e majtë! Kurti 2 drejt një dështimi kolosal nëse vazhdon qishtu”, ka shkruar Gjinovci.

Tutje, Gjinovci e ka quajtur definicion të konfliktit të interesit nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes ministrit të Infrastrukturës Liburn Aliu dhe kolegjit privat në të cilin edhe punon.

Ai i ka komentuar ministrit Aliu në postimin e tij në Facebook se nuk mund të nënshkruajë memorandum në cilësinë e ministrit me punëdhënësin e tij privat.

“Nuk mundesh o i nderuar profesor dhe Minister Aliu, me nenshkru memorandum ne cilesine e ministrit me punedhanesin tand privat, nuk mundesh. Nejse, ti po mundesh, po na bari nuk hajmë. Kurrfare lidhje nuk ka sa memorandume tjera dhe me kend i nenshkrun. Definicion i konfliktit te interest.Pike”, ka shkruar Gjinovci.

Edhe analisti politik, Imer Mushkolaj, ka kritikuar marrëveshjen e ministrit Aliu me kolegjin në të cilin është i punësuar.

“Ministri nënshkruan marrëveshje me kolegjin privat, nga i cili paguhet si profesor. QR”, ka shkruar Mushkolaj.

Image

(Kosova Sot Online)