Policia ende e kërkon autorin e vrasjes së 2 komisionerëve, ai ka vdekur në 2019
Nëse kërkon në faqen e policisë së Shtetit, në atë të Interpolit por edhe tek lista e publikuar nga Drejtoritë e Qarqeve, rezulton se mes të kërkuarve, është edhe një person i shumëkërkuar i quajtur Spartak Sageri, i dënuar për vrasjen e dy komisionerëve në 1997.
Në foto: Spartak Sageri
Por nëse kërkon në faqen e Policisë së Shtetit, ky shtetas figuron i lindur në Selenicë, Vlorë, tek Interpol figuron i lindur në Shemertir, Ersekë, ndërsa tek Drejtoria e Policisë Korçë rezulton i lindur në Mollas, Kolonjë.
BW shkruan se Spartak Sageri ka ndërruar jetë në Amerikë në 30 dhjetor 2019. Vdekja e tij është publikuar në internet ku jepen edhe gjeneralitetet e plota të tij madje dhe fotografia e tij që korrespondojnë me ato të policisë. Siç thuhet në shpalljen e vdekjes, Sageri ka shkuar në Amerikë që në 1999.
Ngjarja në vitin 1997
Ngjarja e frikshme ndodhi fill pas zhvillimit të zgjedhjeve të Përgjithshme Parlamentare të datës 29.06.1997, në zonën e Leskovikut. Të nesërmen, rreth orës 07: 00, në qendër të këtij qyteti, janë grumbulluar komisionerët që përfaqësonin bashkimin “Aleanca për Shtetin” ( PS) dhe ata të grupimit “Bashkimi për Demokraci”( PD), për të transportuar materialet e kësaj zone në Komisionin Zonal të qytetit të Ersekës.
Pasi nuk kanë rënë dakord të udhëtonin me të njëjtin mjet, komisionerët e “Bashkimit për Demokraci” kanë udhëtuar më vete, ndërsa dokumentacioni i votimit dhe komisionerët e grupimit “Aleanca për Shtetin”, të dëmtuarit Fredi Shehu, Arben Arapi, Shaban Koxhaj dhe viktimá Ilirjan Arapi, të ármatosur, kanë udhëtuar në një automjet, shoqëruar ky dhe nga furgoni i policisë. Rreth orës 09: 30, këta të fundit kanë mbërritur në Ersekë dhe pasi kanë parkuar makinat para shkallëve të Bashkisë, të dëmtuarit Fredi Shehu, Arben Arapi, Shaban Koxhaj dhe viktima Ilirjan Arapi, të armatosur, kanë shkuar të dorëzojnë kutitë e votimit në Komisionin Zonal, në godinën e Këshillit të Rrethit që ndodhej aty pranë, te shkallët e së cilës kanë parë Shefin e Komisariatit dhe Hysni Dervishin e Roland Hasanin. Meqenëse situata ka qenë tepër e rënduar dhe kandidati për deputet i së majtës i ka këshilluar për t’u larguar menjëherë, Komisionerët e Leskovikut kanë dalë dhe janë kthyer te mjeti i tyre për t’u larguar. Ndërkohë, në sheshin e Bashkisë ishin parkuar midis të tjerave dhe tre automjete, një autoveture “Opel” e drejtuar nga Spartak Sageri, ku ndodheshin dhe persona të tjerë të armatosur, makina “Toyota” e drejtuar nga Kastriot Fejzo, si dhe një furgon i bardhë me targa TR, i Shkëlzen e Sulejman Sulejmanit.
Në momentin që komisionerët e Leskovikut kanë zënë vendet në furgonin e tyre për t’u nisur, u është bllokuar rruga nga mjeti “Toyota”, i drejtuar nga Kastriot Fejzo, në të cilën ndodheshin dhe dy persona të paidentifikuar. Pasi ka dëgjuar Kastriotin të urdhëronte shoqëruesit “Hidhu një difensive”, i dëmtuari Fredi ka reaguar duke rimbushur armën që kishte mes gjunjëve, tërhequr siguresën dhe drejtuar atë personave të ndodhur në mjetin “Toyota”. Kjo ka mjaftuar për t’i trembur dhe mjeti “Toyota” ka lëvizur prej aty. Meqenëse automjeti me të cilin udhëtonin komisionerët e Leskovikut ka qenë në pamundësi lëvizjeje prej aty, për shkak të bllokimit nga automjetet e tjera, të dëmtuarit dhe viktima kanë zbritur, duke e lënë me shoferin të takohen te Spitali Civil dhe kanë lëvizur në këmbë për t’u larguar. Në momentin që ishin duke ecur në afërsi të Bashkisë, atyre i janë afruar tre persona me gishtat e dorës përpjetë, pa armë në dorë, por me xhepa të fryrë, dy prej të cilëve ishin vëllezërit Sulejmani, ndërsa i treti i pa identifikuar.
PËRPLASJA
Pasi këta të fundit kanë pyetur të dëmtuarin Fredi “Ti je Fredi Shehu?” dhe ky i është përgjigjur “Une jam, por mos bëni asnjë lëvizje, asnjë tentative se armën e kam të mbushur dhe po më ngacmuat apo vepruat do ju qëlloj”, ndërkohë ata janë larguar. Pas kësaj Komisionerët e Leskovikut kanë vazhduar lëvizjen, për t’u larguar kur kanë dëgjuar klithmën e viktimës Ilirjan “Oh … më vranë”. Të dëmtuarit kanë kthyer kokën dhe kanë parë viktimën të rrëzohej në afërsi të shkallëve hyrëse të Bashkisë. Në këtë moment është plagosur me armë zjarri dhe Fredi Shehu dhe duke parë intensifikimin e të shtënave me armë, të dëmtuarit janë futur për t’u mbrojtur në Bashki, duke mundësuar dhe tërheqjen e viktimës Ilirjan, që në atë moment ka qenë gjallë, i plagosur në këmbë. Pasi e kanë lënë Ilirjanin në katin e parë, pranë derës së Bashkisë, të dëmtuarit janë ngjitur në katin e dytë, ku kanë filluar të kundërveprojnë me armë, pra midis palëve ka pasur shkëmbime zjarri. Nga jashtë qëllohej në tre drejtime: cepi i lulishtes, hotel “Borova” dhe cepi i Muzeut. Në këtë moment të dëmtuarit Taqo Skupra, Kastriot Zejnollari dhe viktima Nako Skupra, të ndodhur rastësisht aty, kanë shkuar dhe hipur te automjeti i viktimës Nako Skupra, i parkuar para Bashkisë, me pjesën e parme nga ajo dhe pjesën e prapme nga hotel “Borova”. Në përpjekje për të lëvizur makinën, si rezultat i kryqëzimit të breshërive të plumbave ka mbetur i vdekur viktima Nako Skupra, ndërsa dy të tjerët kanë dalë prej saj dhe me zvarritje janë larguar në drejtim të hotel “Borovës” duke shpëtuar.
SHPËRTHIMET
Pasi ka vazhduar kjo gjendje për disa orë, Hysni Dervishi u ka bërë thirrje të dëmtuarve të dorëzoheshin dhe kur në dritaren e katit të dytë ka dalë i dëmtuari Arben, i maskuar për t’u përgjigjur, ndaj tij është qëlluar me breshëri. Ndërkohë te dera e Bashkisë janë hedhur 5 granata të të njëjtit tip, njëra prej të cilave ka mbetur e páplasur. Nga plasja e granatave ka mbetur i vdekur dhe Ilirjan Arapi. Gjendja është qetësuar më 11: 30 me ndërmjetësinë e shefit të rendit, kandidatit për deputet të së majtës, të afërmve të viktimës. Pavarësisht se në ngjarje kanë marrë pjesë disa persona, në lidhje me sa u tha më sipër janë akuzuar të pandehurit Hysni Dervishi, Spartak Sageri, Adriatik Sejati, Roland Hasani dhe Kastriot Fejzo dy herë për veprën penale të “Vrásjes me paramendim” dhe pesë herë për “Vrásje të kryer në bashkëpunim” mbetur në tentativë.
Ka rezultuar se 10 ditë para ngjarjes, në qytetin e Leskovikut kishte ndodhur një incident bánal. S. Pasho, në gjendje të dehur dhe i ármatosur me pistoletë ka kërcënuar dhe më pas ka bërë që të hiqeshin zvarrë, dy drejtues të PD- së Leskovik, gjest ky i interpretuar si i organizuar nga dëshmitari Alfred Shehu. Të indinjuar nga ky veprim poshtërues publik ndaj kunatit të tyre, të cilit i kanë dhënë dhe ngjyrim politik, Shkëlzen dhe Sulejman Sulejmani kanë provokuar një incident me shkrehje armësh në qendër të Ersekës. Ndërkohë, për të zgjidhur këtë problem, në qytetin e Leskovikut ka shkuar ishShefi i Komisariatit të Policisë Ersekë, i shoqëruar nga Hysni Dervishi dhe Roland Hasani. Këta kanë replikuar áshpër dhe me Fredi Shehun, për problemin e një pasaporte për jashtë shtetit, të djalit të këtij të fundit. Ngjárjet e mësipërme, si dhe humbja e forcës politike, militantë të së cilës ishin të pandehurit dhe mënyra provokuese e árdhjes së deputetëve të Leskovikut, si “triumfues” e të ármatosur në qytetin e Ersekës, ka çuar në konfliktin e ármatosur të datës 30.06.1997.
Kastriot Fejzo u arratis në shtetin grek në vitin 2008, duke lënë në qytetin e Ersekës bashkëshorten dhe katër fëmijët e tij, më të voglin katër vjeç, të cilin nuk e ka parë asnjëherë pas largimit nga vendi. Ai u arrestuan në Greqi në vitin 2012, por sërish arriti t’i shpëtonte burgut. Në atë kohë familjarët e Fejzos deklaronin se ai ishte i pafajshëm.
(Kosova Sot Online)
