Skandali i ri në SHKK: I burgosuri bëhet gardian në Dyz

  • A.P /
  • 22 April 2022 - 15:51
Skandali i ri në SHKK: I burgosuri bëhet gardian në Dyz

Në burgun e Sigurisë së Lartë, përgjegjës për ruajtjen, sigurinë dhe mbikëqyrjen e të dënuarve do të jetë një person i cili ka qenë dy herë i burgosur. 

Në fillim të këtij muaji, Shërbimi Korrektues i Kosovës, zbardhi listën e kandidatëve të pranuar për zyrtarë korrektues.  

Në mesin e dhjetë të përzgjedhurve që do të shërbejnë brenda Burgut të Sigurisë së Lartë, ishte edhe Rexhep Shillova.

Image

Ky i fundit, që do të jetë përgjegjës për ruajtjen, sigurinë dhe mbikëqyrjen e të burgosurve në burg, ka qenë edhe vetë dy herë i burgosur

Kështu tregon një dokument i brendshëm i Ministrisë së Drejtësisë, të cilin e ka siguruar  Insajderi, e në të cilin shpërfaqen detajet për rastet kur Shillova ka qenë në burg.

Herën e parë ai ishte arrestuar më 9 gusht të vitit 2010, për veprën penale “hyrje në sistemin kompjuterik”.

Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Viti, Shillova kishte qëndruar për një muaj në burgun e Gjilanit.

Në vitin 2016, tash gardiani i Burgut të Sigurisë së Lartë, ishte arrestuar sërish nga Policia, për veprën penale “kundërvajtje”.

I njëjti kishte qëndruar edhe tetë ditë në burgun e Gjilanit, pas vendimit që kishte marrë Gjykata Themelore e Gjilanit, dega në Kamenicë

Pavarësisht dy veprave penale, asaj të “hyrjes në sistemin kompjuterik” dhe “kundërvajtjes”, por dhe burgut të mbajtur – Shillova nga Kamenica është pranuar si gardian në konkursin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Institucionit që vepron nën ombrellën e Ministrisë Drejtësisë, s’i kanë penguar këto fakte për ta renditur Shillovën të shtatin në listën e dhjetë zyrtarëve korrektues për burgun e “Dyzit”.

SHKK-së i ka mjaftuar vetëm dokumenti që Shillova “nuk është nën hetime” për ta pranuar atë si përgjegjës të të burgosurve, në burgun ku dënimin e vuajnë personat me rrezikshmëri të lartë.

“Ju njoftoj se dokumentacionet e kërkuar për Konkursin Zyrtar Korrektues, ku është kërkuar edhe vërtetimi nga gjykata, kandidati në fjalë, në aplikacionin e bashkangjitur ka sjellë edhe certifikatën e lëshuar nga gjykata… me të cilën dëshmon se i njëjti nuk është dënuar dhe nuk është duke u zhvilluar procedure penale ndaj tij”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës

Gazeta i ka shkruar gjykatës përkatëse që e ka lëshuar vërtetimin për Shillovën, por e njëjta ende nuk ka kthyer përgjigje.

Përgjigje nuk ka kthyer as ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kur është pyetur nga Insajderi, nëse do të bëjë thirrje që të merren masa ndaj Shillovës, person ky i cili ka qenë dy herë i burgosur, e me të cilin gazeta nuk ka mundur të bie në kontakt.

Ndryshe, institucioni që e ka pranuar gardianin në punë, që nga dje ka mbetur pa drejtues.

Kjo pasi Ali Gashi, ish zv.drejtori që merrej me menaxhimin e burgjeve të Kosovës, ka dhënë dorëheqje.

Largimi i tij nga pozita erdhi vetëm një ditë pas hulumtimit , ku u zbulua se Shërbimi Korrektues i Kosovës e ka transferuar jashtë rregullave nga burgu i Dubravës në atë të Smrekonicës, të afërmin e bashkëshortit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut.

Ky nuk ka qenë skandali i vetëm që ka dalë nga SHKK.

Gazeta Insajderi në fillim të muajit ka zbuluar se Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë shkelje ligjore për të punësuar militantët e Lëvizjes Vetëvendosjes në punë.

(Kosova Sot Online)