
Vllahiu: Nëse vërtetohet përfshirja e Berishajt në aferën 'Golob' - ky është skandali më i madh

Ish-ambasadori i Kosovës në Çeki, Arbër Vllahiu, ka thënë se nëse vërtetohet se ambasadori i Kosovës në Slloveni, Martin Berishaj, është i përfshirë në aferën “Golob” kjo do të ishte skandali më i madh diplomatik i Kosovës.
“Nuk duhet të ulem në asnjë spekulimi, për arsye se ky është një moment i caktuar që ndodh në skenën tonë të brendshme dhe të jashtme e që ka të bëjë me diplomacinë e Kosovës dhe nëse ky rast del që të jetë i vërtetë dhe një ambasador i Kosovës është i përfshirë, po them gjithmonë me dyshimet se është i përfshirë dhe nuk po e akuzoj, atëherë ky do të jetë skandali më i madh diplomatik i Kosovës dhe kjo do të jetë mënyra më e mirë e keqe e përfaqësimit të Kosovës në botë”.
“Në vitin 2019 me kërkesë të ministrit të atëhershëm të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, mbi 30 shefa të misioneve diplomatike të Kosovës në botë janë futur në procesin e vlerësimit të sigurisë. Unë nuk e di nëse në këtë rast është bërë verifikimi i ambasadorit dhe i ambasadorëve të tjerë të cilat janë dërguar në misionet diplomatike kudo në botë. Kjo bëhet jo vetëm nga shteti pritës, por edhe nga shteti që dërgon, pra ne është dashur që ta bëjmë verifikimin e sigurisë për secilin prej ambasadorëve që dërgohet në botë”.
Vllahiuka kritikuar përgjigjen që presidentja Vjosa Osmani e dha në konferencën e sotme kur u pyet për raportimet për ambasadorin Martin Berishaj.
“Presidentja do të duhej që të ishte e saktë pikërisht dhe këtë deklarim të saj të mëvonshëm ta thoshte më herët, në konferencë. Eshtë një njeri që ka punuar në zyrën e presidentit përpara se të ishte presidente, ka qenë shefe e stafit dhe këshilltare ligjore, dhe e di mirë se cilat janë ligjet dhe sanksionimet në raste të veçanta, dhe e di mirë se si bëhet procesi me ambasadorët”.
(Kosova Sot Online)