Gashi: Me krijimin e komisionit hiqen ose vërtetohen dyshimet për keqpërdorim apo korrupsion

  • E.K /
  • 23 April 2022 - 14:05
Gashi: Me krijimin e komisionit hiqen ose vërtetohen dyshimet për keqpërdorim apo korrupsion

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë sot se me krijimin e Komisionit Hetimor për Energjinë do të mësohet e vërteta lidhur me menaxhimin e krizës energjetike në Kosovë.

Me formimin e këtij Komisioni, thotë Gashi se do të hiqen ose do të vërtetohen dyshimet për keqpërdorim apo korrupsion.

“Me krijimin e komisionit mësohet e vërteta, hiqen ose vërtetohen dyshimet për keqpërdorim apo korrupsion, për paaftësi apo keqmenaxhim. Por, një gjë është e paevitueshme: faji që e bën pushtetin fajtor, në cilindo rast. Ky pushtet i ka dhënë më shumë se 100 milion euro dhe e ka rritur faturën e energjisë elektrike për 100%, të cilat qytetarët po vazhdojnë t’i paguajnë. Kjo është një padrejtësi e shtrenjtë dhe çmim i papërballueshëm për qytetarët”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

Postimi i plotë:

Nga dita që kërkuam krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë e deri me sot, faktet që kemi të drejtë po shtohen përditë. Arsyeshmëria po rritet e bindja po forcohet. Edhe pse e drejta politike, kushtetuese dhe ligjore e opozitës nga pushteti po sfidohet, ajo nuk do të mposhtet assesi. Komisioni hetimor do të bëhet. Ky pengim i pushtetit mund të sjellë vonim, por tashmë faji ka adresë, sepse nuk është “jetim”, pushteti është fajtor. Ikja nga hetimi është vetë përgjigjja.

Me krijimin e komisionit mësohet e vërteta, hiqen ose vërtetohen dyshimet për keqpërdorim apo korrupsion, për paaftësi apo keqmenaxhim. Por, një gjë është e paevitueshme: faji që e bën pushtetin fajtor, në cilindo rast. Ky pushtet i ka dhënë më shumë se 100 milion euro dhe e ka rritur faturën e energjisë elektrike për 100%, të cilat qytetarët po vazhdojnë t’i paguajnë. Kjo është një padrejtësi e shtrenjtë dhe çmim i papërballueshëm për qytetarët.

Për më tepër, me krijimin e komisionit respektohet Kushtetuta dhe demokracia, ngase përmbushet njëra ndër tre shtyllat e funksionimit të parlamentit: Mbikëqyrja.

Ndonëse e keni dëshmuar se Kushtetutën e shkelni dhe demokracinë nuk e respektoni, ne nuk do të ndalemi deri në krijimin e komisionit hetimor parlamentar.

(Kosova Sot Online)