Edhe një shqiptar kryeministër në Ballkan, Dritan Abazoviq merr drejtimin e qeverisë në Mal të Zi

  • A.P /
  • 28 April 2022 - 20:18
Edhe një shqiptar kryeministër në Ballkan, Dritan Abazoviq merr drejtimin e qeverisë në Mal të Zi

Në seancën e Kuvendit të Malit të Zi, më 28 prill në Cetinje, u votua Qeveria e pakicës e kryeministrit Dritan Abazoviq, me çka përfundoi mandati teknik tremujor i Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq, të cilit iu votua mosbesimi më 4 shkurt.

Shumica e re parlamentare, e cila votoi për Qeverinë, më herët zgjodhio Danijela Gjuroviqin për kryetare të Parlamentit, e cila zhbllokoi punën e legjislativit pas gati tre muajsh.

Për zgjedhjen e Qeverisë votuan 45 deputetë nga gjithsej 81 sa janë në Parlamentin malazias, ndërsa 3 përfaqësues të socialdemokratëve ishin kundër.

Në seancë nuk morën pjesë deputetë nga Fronti Demokratik Pro-Serb dhe Demokratët, të cilët kundërshtojnë fuqishëm Qeverinë e pakicës të mbështetur nga DPS-ja.

Këto parti, së bashku me lëvizjen URA të Abazoviqit dhe SNP-në, kanë qenë në pushtet që nga zgjedhjet e gushtit 2020, kur pas tri dekadash e zhvendosën DPS-në në opozitë. Një vit e gjysmë pas zgjedhjeve, për shkak të mosmarrëveshjeve politike, ajo shumicë parlamentare u shpërbë dhe anëtari më i vogël i saj, partia URA e Abazoviqit, hyri në procesin e formimit të një qeverie të pakicës me mbështetjen e DPS-së së Gjukanoviqit.

(Kosova Sot Online)