Detaje nga takimi me amerikanët në Sarajevë, Treshja presidenciale zihen mes vete gjatë takimit

  • E.K /
  • 29 April 2022 - 15:34
Detaje nga takimi me amerikanët në Sarajevë, Treshja presidenciale zihen mes vete gjatë takimit

Senatori demokrat, Chris Murphy, që ishte pjesë e një delegacioni senatorësh amerikanë që vizituan Ballkanin Perëndimor javën e kaluar e ka përshkruar vizitën në Sarajevë dhe shijen e hidhur që ia lanë treshja presidenciale me zënkat që kishin mes vete gjatë takimit. Senatori Murphy e ka përshkruar një episod qesharak për ta e që në fakt ishte serioz, kur një zëdhënëse e ambasadës së ShBA-së në Sarajevë i ka paralajmëruar senatorët para konferencës për shtyp se mund të ketë pyetje lidhur me disa pretendime të Dodikut se ShBA-ja dhe Britania e Madhe mund ta kidnapojnë atë.

“Ndërsa përgatiteshim për një konferencë për shtyp pas takimit, një zëdhënëse e ambasadës së SHBA-së na tha se kishte dy tema të ndjeshme për të ngritur në pritje të pyetjeve nga shtypi boshnjak. Së pari, ajo tregoi se audioja e prezantimeve të takimit kapi një prej nesh duke i thënë Dodikut, i cili është subjekt i sanksioneve të SHBA-së, “Mirë se ju shoh, President Dodik”. Ajo ishte e shqetësuar për konotacionin e sugjerimit se është “mirë” të shohësh dikë në listën e sanksioneve të SHBA. Ne buzëqeshëm dhe i thamë se nuk ishte diçka për t’u shqetësuar. Së dyti, ajo na tha se mund të kemi një pyetje në lidhje me një pretendim që Dodik ka bërë kohët e fundit – se SHBA dhe Britania po planifikojnë ta rrëmbejnë atë dhe ta mbyllin në një bodrum pa dritare. Ne qeshëm – dhe më pas kuptuam se ajo ishte vërtetë serioze”, e përshkruan senatori Murphy një episod gjatë vizitës në Sarajevë.

Ai thotë se gjatë takimit me treshen presidenciale, ata u fyen dhe u shanë me njëri tjetrin.

“Përgatitja jonë për takimin kishte pak rëndësi. Nga fillimi, Dodik dhe udhëheqësitë kroatë e boshnjakë ishin më të interesuar të debatonin me njëri-tjetrin sesa të bënin një dialog aktual me ne. Ne u ulëm me gojën hapur teksa ata shprehnin fyerje dhe ankesa, të interesuar qartësisht vetëm për përkeqësimin e krizës ekzistuese”, thotë Murphy.

(Kosova Sot Online)