U vetëvar, reagon babi i viktimës: Polici qensh, ma akuzuan djalin për një derë alumini

  • E.K /
  • 04 May 2022 - 21:38
U vetëvar, reagon babi i viktimës: Polici qensh, ma akuzuan djalin për një derë alumini

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Komisariatin e Kavajës, ku një person i ndaluar ka vrarë veten brenda qelive të paraburgimit.

31-vjeçari Ilvi Meta i ka dhënë fund jetës duke u varur brenda qelisë. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe babi i viktimës, Agim Meta, i cili akuzon policinë.

Duke folur për mediat Agim Meta ka deklaruar se djalin e tij e kishin akuzuar për vjedhjen e një dere alumini.

“Polici qensh, Djalin e morën paradite e akuzuan për vjedhjen e një dere alumini. Nuk më kanë thënë asgjë, unë do ta gjej”, u shpreh babai i viktimës për mediat.

Njoftimi i Policisë:

Më datë 04.05.2022, në Komisariatin e Policisë Kavajë, është gjetur nga shërbimet e Policisë i vetëvarur në dhomat e izolimit dhe si pasojë ka ndërruar jetë, shtetasi i ndaluar I. M., 31 vjeç, i cili është ndaluar ditën e sotme rreth orës 15:50 pasi Gjykata kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë i cili ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

(Kosova Sot Online)