Jakup Krasniqi me një fjalim në Speciale: Jam krejtësisht i pafajshëm, më vjen turp që po jetoj në këtë kohë

  • E.K /
  • 10 May 2022 - 14:41
Jakup Krasniqi me një fjalim në Speciale: Jam krejtësisht i pafajshëm, më vjen turp që po jetoj në këtë kohë

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka dalë para Gjykatës Speciale në seancën dëgjimore pas dorëzimit të aktakuzës së re, me ndryshime, të cilën Zyra e Prokurorit të Specializuar e dorëzoi në gjykatë më 29 prill.

Krasniqi u deklarua i pafajshëm, ndërsa pati një fjalim të gjatë kur gjykatësi Nicolas Guillou e pyeti nëse e ka marrë aktakuzën e re dhe nëse i ka lexuar akuzat.

Pjesë nga fjalët e Jakup Krasniqit në Gjykatën Speciale:

I nderuari gjyqtar, zonja dhe zotërinj të të gjitha segmenteve të drejtësisë që jeni të thirrur të mbroni dhe të bëni drejtësi, kërkoj që të më kuptoni drejt. Gjatë gjithë jetës sime kam qenë njeri me integritet më mënyrën më të qartë në raport me më të fortin, por për më të dobtin kurrë nuk kam shfaqur as shenja egërsie e as përbuzje, veç dhembshurisë njerëzore. Padrejtësisë, sado e rrezikshme të ishte dhe është edhe sot, nuk i jam përgjigjur me heshtje asnjëherë.

Sot po i them disa fjalë. Mbase jam gabim, por kurrë nuk kisha besuar po të mos ishte ky rast se juristë të shkulluar në vendet me demokraci liberale, me traditë, që pretendojnë se punojnë në një sistem të drejtësisë kredibile, për të bërë drejtësi standarde, guxojnë të ngrisin një akuzë që mbështetet vetëm e vetëm mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë dhe e cila cenon rëndë lirinë, jetën e të drejtën e individit, e madje e godet në palcë të kurrizit të drejtën e një populli për liri e shtetndërtim me një padrejtësi të madhe. Mua më vjen turp që po jetoj në këtë kohë të këtij lloj homosapiensi që me kaq lehtësi ua shkatërron jetën njerëzve dhe familjeve që guxuan të luftojnë për jetën në liri, për demokracinë e pavarësinë….

Në atë kohë nuk besoj në botë ka pasur një regjim të tillë kriminal e gjenocidal sa e si ishte regjimi i Millosheviqit, të cilit nuk po i mungon as qimja e flokut….

Luftërat dhe padrejtësitë nuk janë vepra të të virtytshme, por kjo e fundit nuk vlen për luftërat për jetë, për liri e për çlirim. Unë z. gjyqtar, e kam lexuar dokumentet, aktakuzën, edhe këtë shtesën e fundit, dhe mund të them me bindje të plotë se e kam të vështirë ta kuprojë edhe aktakuzën e parë, edhe vazhdimin, pasi jam i bindur se vepra të tilla kurrë nuk kam kryer në jetën time. Prandaj deklarohem krejtësisht i pafajshëm. Dhe natyrisht kërkojmë që gjyqi të shpejtohet dhe të mos na mbani kaq gjatë në paraburgim.

(Kosova Sot Online)