Pahor kërkon që BE t’ia japë menjëherë dhe pa kushte statusin e vendit kandidat Bosnjës

  • E.K /
  • 11 May 2022 - 11:24
Pahor kërkon që BE t’ia japë menjëherë dhe pa kushte statusin e vendit kandidat Bosnjës

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, propozoi ndryshimin e qasjes së Bashkimit Europian ndaj Bosnjë e Hercegovinë, gjegjësisht dhënien e shpejtë të statusit kandidat këtij vendi, pas së cilës do të insistonte sërish në zbatimin e parakushteve të vendosura nga Komisioni Europian për BeH në vitin 2019.

Duke folur në Sarajevë në hapjen e një konference biznesi, Pahor tha se është e qartë për të gjithë se stabiliteti politik është një parakusht për zhvillimin ekonomik dhe se rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet një zonë e paqëndrueshmërisë politike.

Ai vlerësoi se vazhdimisht kërcënon paqëndrueshmëria e shkaktuar nga bllokada bullgare e negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE, e cila derdhet prek edhe Shqipërinë, mungesën e progresit në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe problemet e brendshme që ka Bosnja, raporton agjencia kroate e lajmeve, Index.

Pahor beson se ndoshta gjëja më e rëndësishme është zgjidhja e ngërçit në rastin e Bosnjë-Hercegovinës, e cila ka 14 prioritete që duhet të zgjidhen për ta fituar statusin e vendit kandidat. Ngërçi në këtë fushë ka më shumë se dy vjet, dhe presidenti slloven tani po propozon që Bosnjës t’i jepet një status i tillë si një sinjal i rëndësishëm politik i një perspektive të qartë europiane dhe që më pas të punohet për përmbushjen e kritereve të përcaktuara.

Ai shpjegoi se procesi integrues, për shkak të ngadalësisë së tepruar, shkaktoi rritjen e nacionalizmit dhe nxiti ide të papranueshme për ndryshimin e kufijve në rajon.

Prandaj ai sugjeroi që zgjerimi të konsiderohet si çështja më e rëndësishme që është bërë veçanërisht e rëndësishme pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

“Unë mbështes qasjen e përshpejtuar të Ukrainës, por dua gjithashtu akses të përshpejtuar kur bëhet fjalë për BeH”, tha Pahor, duke shtuar se ishte e nevojshme të përdoret momenti aktual dhe të ndihmohet Bosnja sepse është vendimtar jo vetëm për Bosnjën, por për stabilitetin e rajonit.

“Nuk e di nëse kjo është e realizueshme dhe sa e ndërlikuar do të jetë arritja e një konsensusi për këtë, por mua më duket ideja më produktive në momentin kur bëhet fjalë për procesin e zgjerimit”, tha presidenti slloven.

Ai shtoi se tani nevojitet mbështetje vendimtare nga Brukseli për t’i treguar popullit të Bosnjës se perspektiva europiane është e arritshme.

(Kosova Sot Online)