'Prishtina Parking' shpërblen me tender 1.5 milion euro kompaninë e sigurimeve

  • A.P /
  • 11 May 2022 - 21:03
'Prishtina Parking' shpërblen me tender 1.5 milion euro kompaninë e sigurimeve

Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” ka shpërblyer me tender në vlerë 1.5 milionë euro kompaninë e sigurimit “Besa Security” për vendosjen dhe menaxhimin e kamerave për trafik në Komunën e Prishtinës.

Me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, të mbyllur, “Prishtina Parking” Sh.a. ka përzgjedhur “Besa Security” që të realizojë projektin e vendosjes dhe menaxhimit të kamerave në trafik.

Sipas të dhënave të publikuara në platformën e-prokurimi, ndërmarrja ka përzgjedhur fituesin e tenderit pas negocimit me vetëm një kompani, “Besa Security”.

Kontrata parashihet të zgjasë tri vjet, bazuar në Dosjen e Tenderit

Me projektin e vendosjes së kamerave në trafik, “Prishtina Parking” Sh.a. planifikon implementimin e sistemit automatik të gjobave në trafik për mbarëvajtjen e shpejtësisë së lejuar për qarkullim në rrugët e kryeqytetit, si dhe sistemin automatik të ndalimeve dhe parkimeve në vende të palejuara.

Po ashtu, projekti parasheh identifikimin e shkeljeve tjera të trafikut në udhëkryqet kryesore të Prishtinës dhe lehtësimin e lëvizjes së makinave dhe trafikut në përgjithësi.

Njoftimi për dhënie të kontratës është publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik më 11 maj.

Tenderët një-burimor kufizojnë konkurrencën dhe rrisin mundësinë për çmime më të larta e për cilësi më të vogël.

Image

(Kosova Sot Online)