Sot aplikoi, por kur mund të anëtarësohet Kosova në Këshillin e Evropës sipas Donika Gërvallës

  • A.P /
  • 12 May 2022 - 20:44
Sot aplikoi, por kur mund të anëtarësohet Kosova në Këshillin e Evropës sipas Donika Gërvallës

Kosova ka nis sot procesin e anëtarësimit në Këshillin e Europës. Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla tha se ky proces mund të zgjas por ajo thotë se vendi ynë ka hyrë i përgatitur në këtë rrugë.

“Këshilli i Europës është një prej institucioneve më të rëndësishme europiane dhe Kosova është shteti i vetëm i cili ende nuk është pjesë e Këshillit të Europës dhe prandaj është shumë e rëndësishme që sot kemi filluar një proces. E theksoj se sot e kemi filluar një sukses i cili natyrisht se do të zgjasë derisa të arrijmë në përfundimin që duam”, tha Gërvalla.

 

Gërvalla ka treguar se pse Kosova do të duhej të ishte pjesë e Këshillit të Europës.

“Sepse sidomos qasja për qytetarët e Republikës në Gjykatën Europianë për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, bërja pjesë e procesit të Bolonjës i cili do të lehtësonte për studentët dhe profesionistët tanë njohjen e diplomave dhe të profesioneve, Kongresi i autoriteteve lokale dhe rajonale ku Asociacioni i Komunave momentalisht ka një rol si vëzhgues. Kuvendi i Republikës që sot ka të drejtë të paraqesë kërkesë për të marrë statusin e mysafirit në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, po ashtu edhe mekanizma të tjerë. Lista është shumë e gjatë. Disa janë më të rralla, disa janë më të shpeshta benefitet që do të ketë Kosova madje edhe në këtë poçes gjatë anëtarësimit kështu që është një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën”, shtoi ajo.

Por kur pritet të votohet për anëtarësim të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës?

“Po tani datën nuk mund të ua thotë askush sot, për shkak se ky është një proces i gjatë i cili ka filluar sot. Është një proces në të cilin Kosova mendojmë se është mjaft e përgatitur për ta kaluar sa më shpejt, por ne nuk duhet të harrojmë se Këshilli i Europës ashtu edhe si BE’ja dhe Europa në përgjithësi ndodhet në faza të një sfide të jashtëzakonshme për shkak të luftës që Rusia ka filluar ndaj Ukrainës, prandaj unë nuk mund të ua them çfarëdolloj shifre. Çfarë mund tu them është se ne kemi aplikuar sot, teknikisht këkresa jonë është pranuar sot nga zyra e sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës dhe fillojmë procesin e anëtarësimit. Ky proces se sa do të zgjas do të varet edhe nga ne dhe përkushtimi ynë në kryerjen e obligimeve që i kemi në këtë proces por edhe në të njëjtën kohë nga gatishmëria e Këshillit të Europës për të proceduar kërkesën tonë dhe për tu marrë intensivisht me të”, tha Gërvalla.

(Kosova Sot Online)