A duhet të ketë paraburgim për rreshterin policor që keqtrajtoi zyrtaren policore në Pejë
Rreshteri policor në Drejtorinë Rajonale në Pejë, Senad Hamzic është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, pasi dyshohet se ka sulmuar pamëshirshëm një zyrtare policore, me të cilën ishte në lidhje dashurie. Mediat që nga mbrëmë ka publikuar detaje trishtuese se si policja u sulmua pamëshirshëm nga Hamzic, për motive të xhelozisë. Pas caktimit të masës së ndalimit, Prokuroria Themelore në Pejë do të bëjë sot kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Kështu ka bërë të ditur për Sinjalin zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.
Për arrestimin e rreshterit është deklaruar edhe Inspektorati Policor i Kosovës dhe kanë njoftuar se i njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “kanosje”. Ndryshe, rasti u zbulua pasi zyrtarja policore kishte kërkuar trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejë, si rezultat i rrahjes brutale, pasi kishte pësuar lëndime të rënda në pjesët e trupit. Sipas burimeve të Sinjalit brenda spitalit, zyrtarja policore në fjalë është sulmuar fizikisht me grushte në kokë, shqelma e shuplaka nëpër trup e fytyrë, për çka ka pësuar plagë të rënda, sidomos në regjionin e fytyrës.
Gjithçka dyshohet se nisi në veturën e rreshterit policor Hamzic, ku i njëjti dyshohet se torturoi të dashurën zyrtare policor për motive të xhelozisë. Rrahjen brutale rreshteri e vazhdoi edhe jashtë veturës, duke u ‘siguruar’ që të mos lë gjurmë. Kjo pasi që, siç mëson Sinjali ata vazhduan për në një pompë të derivateve, ku zyrtarja policore ka ndërruar rrobat, të cilat i kishte të gjakosura. Siç mëson Sinjali, deri më tani hetuesit kanë mbledhur prova të mjaftueshme që provojnë se rreshteri policor duhet të ndalohet për shkak të sulmit mizor ndaj zyrtares policore.
(Kosova Sot Online)
