Reagim nga kabineti i Ministres pas dënimit të deputetes së VV’së: Gjykata mbrojti uzurpuesit

  • A.P /
  • 17 May 2022 - 16:01
Reagim  nga kabineti i Ministres pas dënimit të deputetes së VV’së: Gjykata mbrojti uzurpuesit

Nazlije Bala, këshilltare politike e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, ka reaguar ashpër pasi deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmira Vrenezi, u shpall fajtore dhe u dënua me tri vjet burgim e 2 mijë euro gjobë për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Gjykata Themelore në Prizren.

Sipas Balës, vendimi i gjykatës është “mbrojtje e uzurpatorëve dhe ndëshkim i atyre që mbrojtën interesin publik”.

“Deputetja dhe ish zyrtarja Jetmire Vrenezi u dënua me tri vite burg për shkak se ajo mbrojti pronën publike…aq ishin veprimet e saja. Dënime të tilla nuk kemi parë asnjëherë ndaj zyrtarëve të cilët për vite radhazi janë pasuruar kundërligjshëm dhe kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Vendimi i sotëm është në fakt mbrojtje e uzurpatorëve dhe ndëshkim i atyre që mbrojtën interesin publik”, ka shkruar Balaj.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur fajtore dhe e ka dënuar me tri vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmire Vranezi. Një dënim i tillë është shqiptuar edhe ndaj Islam Thaçit.

Ata janë dënuar veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas njoftimit të Gjykatës, “me datë 19 korrik 2019, dhe 21 korrik 2019, në Prizren në objektin “Abi Çarshia” të akuzuarit në cilësinë personave zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” Sh.P.K.”

“Të akuzuarin I.Th., Dënim me GJOBË në shumën prej 2.000 (dymijë) euro, dhe Dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej tre (3) viteve

– Të akuzuarën J.V., Dënim me GJOBË në shumën prej 2.000 (dymijë) euro, dhe Dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej tre (3) viteve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

(Kosova Sot Online)