ZRRE humb në Gjykatë, faturat e rrymës do të kthehen siç ishin

  • A.P /
  • 18 May 2022 - 15:57
ZRRE humb në Gjykatë, faturat e rrymës do të kthehen siç ishin

Qytetarët e Kosovës duket se faturat e rrymës tash e tutje do t’i paguajnë më lirë. Gjykata e Apelit ka marrë vendim që të anuloj ankesën e ZRRE-së dhe t’i jap të drejtë qytetarëve. Më këtë vendim duhet të kthehen çmimet e tarifave siç kanë qenë. Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Ymer Fejzullahu, ka treguar se ZRRE-ja është institucion që respekton ligjet.

“Kthehet çmimi i energjisë siç ishte. Gjykata e Apelit e vërteton aktvendimin e themelores. Urime”, ky është reagimi i parë që ka bërë ish-kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Persteshi, pasi që Gjykata e Apelit ka marrë vendim kundër ZRRE-së për tarifat e rrymës.

Hodges: Rusia s’guxon të sulmojë një vend të NATO-s, prandaj Kosova do anëtarësimin

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Në aktvendimin e Apelit, ku thuhet se ankesa e ZRRE-së është refuzuar si e pabazuar.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e të paditurës –kundërpropozueses ZRrE, e datës 26.04.2022, ndërsa Aktvendimi  i Gjykatës Themelore në Prishtinë –Departamenti për Çështje Administrative i datës 08.04.2022, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit.

Persteshi në reagimin e tij ka treguar po ashtu se ZRRE tërë procesin ka pasur mundësi që ta menaxhoi më mirë. Po ashtu edhe Qeveria.

“ZRRE humbi rastin vetëm nga aspekti i vendosjes se masës për rikthim të gjendjes fillestar.  Ndërsa gjykata nuk ka aktgjykuar akoma! Merr kohë kjo çështje. ZRRE tërë procesin ka pasur mundësi që ta menaxhoi më mirë. Po ashtu edhe Qeveria.”

Ai ka thëne se po të ishte funksional j Autoriteti i Konkurrencës ndryshe do të ishin gjerat.

”Po të funksionalizohej Autoriteti i Konkurrencës asokohe dhe po të kishte kontinuitet të njerëzve, gjithçka do të ishte në suaza të normales. Sepse ZRRE dhe AKK në bashkëpunim me njëra tjetrën edhe bazuar në MOu e tyre, e kishin marr tërë procesin e krizës së energjisë në dorë, si organe profesionale të kuvendit, dhe as nuk kish cu pluhur qeveria, as opozita, dhe gjerat ishin trajtu nga njerëzit e ditur. Si do qoftë, në fund vuan qytetari”, ka shkruar ai.

Kurse, Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu, ka treguar se ZRRE-ja është institucion që respekton ligjet.

“Deri më tani nuk kemi pranuar asnjë vendim nga Gjykata e Apelit, por kur do që vjen ne do ta respektojmë vendimin”, tha ai, shkruan Syri.net

ZRRE-ja, duke u thirrur në Ligjin për konfliktet administrative, pati deklarua se “aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm”.

Neni 66 i këtij Ligji, në të cilin bazohet ZRRE-ja, thotë se “vendimet e gjykatës mund të ekzekutohen atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”.

Por, sipas Ehat Miftarajt, jurist në Institutin për Drejtësi të Kosovës, ZRRE-ja është duke e interpretuar gabimisht këtë nen.

“Qëllimi i masës së sigurisë, në këtë rast masës së përkohshme [apo vendimit për pezullim] që ka marrë gjykata, është që të parandalohet një dëm apo pasojë që mund të shkaktohet. Nuk do të kishte kuptim kjo masë, nëse nuk do të ishte obligative apo e ekzekutueshme për organet administrative, në këtë rast për ZRRE-në”, kishe deklaruar Miftaraj per mediat në Kosovë.

I gjithë procesi në Gjykatë kishte nisur pas padisë së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës dëmton qytetarët e vendit.

Kështu, më 9 prill Gjykata mori vendim për pezullim, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe këtë në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura. ZRRE-ja, duke u thirrur në Ligjin për konfliktet administrative, pati deklaruar se “aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm”.

ZRRE-ja, në vazhdën e krizës globale energjetike, ka miratuar faturat me rritje më 8 shkurt, të cilat ka thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars, 2023.

Tarifa e lirë e energjisë elektrike në Kosovë vlen nga 1 tetori deri më 31 mars, nga ora 22:00 deri në orën 7 të mëngjesit.

Nga 1 prilli deri më 30 shtator, tarifa e lirë vlen nga ora 23:00 deri në 8 të mëngjesit.

Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka nisur betejën ligjore kundër vendimit për shtrenjtimin e rrymës, dorëzoi të premten në Prokurorinë Speciale të Kosovës kallëzim penal ndaj anëtarëve të bordit të ZRRE-së.

Sipas sqarimit të dhënë, kallëzimi penal është ngritur për shkak të “moszbatimit të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për pezullimin e zbatimit të vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike”.

Kallëzimi penal u dorëzua nga Faton Fetahu, avokat i angazhuar nga PDK-ja, parti opozitare në Kuvendin e Kosovës.

Fetahu tha se me moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Bordi i ZRRE-së ka kryer veprat penale: “mosekzekutim i vendimit të gjykatës, mosrespektim i gjykatës dhe keqpërdorim i pozitës së autoritetit zyrtar”.

Sipas tij, baza ligjore në të cilën thirret ZRRE-ja, është e paqëndrueshme.

“Ata [ZRRE] nuk e kanë të qartë dallimin mes aktgjykimit dhe aktvendimit. Në rrethana të rastit konkret është një masë e përkohshme për shtyrje të zbatimit të vendimit të ZRRE-së”.

Kur ka marrë vendimin për shtrenjtim të rrymës, ZRRE-ja ka thënë se ai është ndikuar nga rritja e çmimeve të energjisë në nivel botëror.

Marrë parasysh faktin se Kosova nuk prodhon mjaftueshëm energji elektrike, ajo është detyruar të importojë rrymë me çmime më të shtrenjta dhe kjo është reflektuar pastaj edhe në faturat e reja për qytetarët.

(Kosova Sot Online)