Shteti që s’e njeh Kosovën i kërkon BE-së të anëtarësojë Ballkanin Perëndimor

  • E.K /
  • 25 May 2022 - 14:27
Shteti që s’e njeh Kosovën i kërkon BE-së të anëtarësojë Ballkanin Perëndimor

Kryeministri i Sllovakisë, Heger Eduard, gjatë një paneli në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, i ka kërkuar vendeve të Bashkimit Europian që të punojnë me Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor për t’i anëtarësuar në Union.

Ai tha se BE-ja duhet të ketë “rregulla të standardizuara në mënyrë që ata të mund të anëtarësohen në BE”. Megjithatë, Sllovakia është njëra prej pesë shteteve të BE-së që vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

Ai këtë kërkesë e bëri derisa po argumentonte se Ukraina duhet t’i bashkohet Unionit dhe paralajmëroi se nëse dështon Ukraina në luftën me Rusinë atëherë vendi i tij do të jetë i radhës.

“Ukraina, vitet e fundit, ka thelluar lidhjet e saj ekonomike dhe politike me BE-në dhe Kievi ka shprehur dëshirën për t’u anëtarësuar. Vendet  në Ballkanin Perëndimor kanë kërkuar gjithashtu anëtarësim për disa vite.

Anëtarësimi në bllok zakonisht zgjat disa vite, pasi vendet duhet të plotësojnë kritere strikte për anëtarësim përpara se të hapin negociatat. Megjithatë, disa liderë aktualë të BE-së e kanë kundërshtuar idenë se anëtarësimi i Ukrainës mund të përshpejtohet për shkak të pushtimit nga Rusia.

“Nuk ka diçka të tillë si përshpejtim i procesit, një gjë e tillë nuk ekziston”, tha kryeministri holandez Mark Rutte në mars.

Po ashtu, edhe presidenti francez Macron ka thënë se pranimi i Ukrainës në BE merr kohë me dekada dhe ka propozuar një komunitet politik europian ku vendet joanëtare, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor, mund të anëtarësohen derisa t’i plotësojnë kriteret për të hyrë në BE.

(Kosova Sot Online)