30 ditë paraburgim, Gjykata vlerëson se Qëndrim Januzi e kreu me dashje dhe parapërgatitje vrasjen në Ferizaj

  • G.G /
  • 30 May 2022 - 12:29
30 ditë paraburgim, Gjykata vlerëson se Qëndrim Januzi e kreu me dashje dhe parapërgatitje vrasjen në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar 30 ditë paraburgim Qëndrim Januzit, të dyshuarit kryesor për vrasjen e 30-vjeçarit Gazmend Hyseni në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Ferizaj.

Siç ka njoftuar gjykata, gjjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ka dyshim të bazuar se vrasja u kry “me dashje dhe përgatitje paraprake”.

Themelorja po ashtu vlerëson se ka dyshim të bazuar se Qëndrim Gashi e ka vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 28 maj 2022, në Ferizaj, me dashje dhe përgatitje paraprake, ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.H., në atë mënyrë që ka vë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë, me ç ‘rast që pas një mosmarrëveshje të mëhershme me të takuar tani të nderin, ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri shtatë herë, ku si pasoj e të shtënave nga plagët e marra nderon jetë”, thuhet në njoftim.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.2 e 1.2.3 të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Në dosjen e Prokurorisë, Kallxo.com raportoi të shtunën se përshkruhet se motivi i vrasjes dyshohet se ka të bëjë me djegien e një veture të vëllait të të dyshuarit, reperit Buta, dhe se i dyshuari ka pretenduar se vetura i ishte djegur nga tashmë viktima.

Por pas vrasjes Buta nuk është intervistuar nga organet e ndjekjes.

“Në bazë të infomracioneve, nuk është intervistuar”, i tha Express-it të dielën Kastriot Zenuni, avokat i Qëndrim Januzit.

Seanca dëgjimore është mbajtur në QKUK, aty ku Qëndrim Januzi u dërgua pas vrasjes.

(Kosova Sot Online)