Zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit, Kurti u tregua më diplomat, Ramosaj: S’do ta bëjmë kurrë

  • A.P /
  • 01 June 2022 - 18:08
Zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit, Kurti u tregua më diplomat, Ramosaj: S’do ta bëjmë kurrë

Shtetet e Quint-it po presin, duke e rikujtuar gjithnjë e më shpesh kërkesën e tyre për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronën e Manastirit të Deçanit. Kryeministri është munduar të shpjegojë mospajtimin e tij me vendimin. Por kryetari i Deçanit është shumë më i drejtpërdrejtë. Thotë se nuk do ta zbatojnë kurrë.

Kryeministri Albin Kurti foli për ndarjen e pushteteve, kur u pyet sot në një konferencë për media lidhur me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në favor të Manastirit të Deçanit për tokën 24 hektarështe.

Agjencia Kadastrale e Kosovës – që është autoriteti qendror për mirëmbajtjen e bazës së të dhënave kadastrale dhe funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit – është përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi të Kushtetueses, thotë kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. Ai i thase “çdokush po mundohet me i ikë një lloj përgjegjësie që e ka të veten”, ndërsa theksoi se kjo komunë nuk do ta zbatojë kurrë këtë vendim.

“Çështja është… realisht është komplet nën patronatin ose nën legjislacionin që shteti e rregullon. Është përgjegjësi e agjencionit kadastral. Sa i përket kadastrës së Deçanit, nuk ka me e zbatu kurrë”, tha Ramosaj.

Atij nuk i pëlqeu pyetja se a mund ta zbatojë vetë komuna këtë vendim. Tha se janë deklaruar për këtë çështje dhe se nuk ka nevojë për më shumë shpjegime.

“Edhe me mujtë me e bë, nuk kemi me e zbatu. Edhe me pasë mundësi, me pasë të drejtë me e bë, nuk kemi me e bë”, theksoi ai.

I pyetur për kërkesën e shteteve të Quint-it për zbatimin e vendimit të Kushtetueses për pronën e Manastirit të Deçanit, Kurti nuk foli kaq direkt sa Ramosaj.

“Sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, a nuk janë të ndara pushtetet? Pushteti ekzekutiv dhe pushteti gjyqësor? Pse kaq shumë kërkesë nga Qeveria e Kosovës që në njëfarë mënyrë të ndërthuret me një shtyllë tjetër të pushtetit? Vazhdimisht është kërkuar që ne të mos përzihemi në shtyllat e tjera të pushtetit, që natyrisht është tipar i demokracisë, mirëpo në këtë rast kërkohet vazhdimisht që ne të jemi aty pranë Gjykatës Kushtetuese. Ajo e bën punën e saj sipas diskutimeve dhe mendimeve që ka. Ne jemi një organ tjetër dhe jo vetëm për nga shkalla, por edhe nga natyra e Republikës së Kosovës”, tha fillimisht kryeministri.

Kurti evidentoi disa shkelje, që sipas tij janë bërë në procedurën deri te aktgjykimi.

“Ata e kanë dhënë aktgjykimin e tyre, unë besoj që ka shumë shkelje procedurale. Nuk është Manastiri i Deçanit palë në çështje, është Kisha Ortodokse, gabimisht është pranuar. Nuk mund të na përfaqësojë neve AKM-ja e UNMIK-ut pas shpalljes së pavarësisë, por është dashur AKP-ja. Edhe kjo është shkelje është bërë. Janë të panumërta ato. Por, qeveria i mbahet drejtësisë. Nuk angazhohemi ne me logjikë pazaresh me askënd. As brenda, as jashtë vendit. Me dijen që e kemi, me aftësisë që i posedojmë e bëjmë më të mirën e mundshme”, tha ai.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja tha të martën se pronat duhet t’i kthehen Manastirit të Deçanit. Sipas tij, Kosova ka mundur ta evitojë këtë situatë, por nuk e ka bërë me kohë dhe tani s’ka mbetur zgjidhje tjetër.

“Nuk ka mundësi të suprimohen vendime të tilla, por që gllabërimi është natyrë e jona. Ose duhet të suprimohet nga Kuvendi me vendim, që do të bëhej një rrëmujë e madhe. Ose duhet të heq dorë Manastiri i Deçanit. Zgjidhje tjetër nuk ka përveç që të kthehen pronat te Manastiri i Deçanit. Ia kemi bërë vetes. Zgjidhje tjetër nuk ka. Ajo ka mundur të bëhet me kohë. Ka mundur. Tash nuk ka tjetër zgjidhje sepse e ke të shkruar taksativisht. E ke miratuar dhe ke pasur arsye që të mos e bësh. Sepse janë vendime të një shteti gjenocidal. Dhe ato vendime gjithmonë janë zhbërë me vendime të parlamenteve”, ka thënë kryeakademiku.

Kontesti gjyqësor rreth çështjes se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – ka zgjatur 16 vjet.

Më 20 maj 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pati marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit. Ai nuk u zbatua.

Bashkësia ndërkombëtare tash e disa vjet u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ta lejojnë Manastirin që ta regjistrojë tokën në kadastër.

Në reagimin e fundit, shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës thanë se zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe vunë në dukje se këto janë edhe parakushte për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhej në reagimin Quint-it më 20 maj të këtij viti.

(Kosova Sot Online)