Zbulohen detaje për vdekjen e nipit të Adem Grabovcit brenda veturës në Emshir

  • A.P /
  • 02 June 2022 - 22:00
Zbulohen detaje për vdekjen e nipit të Adem Grabovcit brenda veturës në Emshir

Një rast i rëndë ka ndodhur gjatë mesditës së sotme në Lagjen “Emshir”, në Prishtinë.

Policia e Kosovës, e ka konfirmuar se një 50 vjeçar është gjetur i vdekur brenda veturës së tij në parking, dhe se dyshimet e para janë se i njëjti ka kryer vetëvrasje.

Viktima është djali i vëllait të ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovcit, Nazmi Grabovci.

Ai është gjetur brenda veturës së tij BMW X5, i vdekur derisa dëshmitarët kanë treguar se është dëgjuar një krismë e armës.

Nazmi Grabovci, njihet si biznesmen që kishte në pronësi kompani ndërtimi bashkë me dy djemt e Adem Grabovcit dhe ishte hisedar në një kompani tjetër, në kompaninë International Trafic Kosova (ITK).

Sipas zëdhënësit të policisë, Agron Borovci, mbështetur në informacionet e para, ka elemente të vetëvrasjes, por hetimet tanimë kanë nisur mbi vdekjen e tij.

“Rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën për një trup të pa jetë, në një veturë në lagjen “Emshir” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull, rreth 50 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen dhe po vijon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit“, tha Borovci.

Familjarë dhe zyrtarë tjetër të shtetit nuk janë deklaruar ende për rastin.

Ndërsa nga vendi i ngjarjes zyrtarë të mjekësisë ligjore pas procedurave dhe ekzaminimeve e kanë larguar nga aty trupin e pajetë të Nazmi Grabovcit. 

(Kosova Sot Online)