Manastiri i Deçanit dhe moszbatimi i vendimit të Kushtetueses, kryefjalë në raportin e DASH për liritë fetare në Kosovë

  • E.K /
  • 03 June 2022 - 15:28
Manastiri i Deçanit dhe moszbatimi i vendimit të Kushtetueses, kryefjalë në raportin e DASH për liritë fetare në Kosovë

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e vitit 2021 mbi Liritë Fetare në Kosovë. Aty përmendet moszbatimi i vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit dhe thirrjen që ambasada e SHBA-së ka bërë që i njëjti vendim të implementohet nga qeveria.

“Ambasadori i SHBA-së dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës u kërkuan zyrtarëve të pushtetit qendror dhe vendor, përfshirë kryeministrin, që të respektojnë ligjin për Zonën Speciale Mbrojtëse të Manastirit, veçanërisht në rastin e rrugës afër Manastirit të Deçanit. Zyrtarët e ambasadës avokuan me të gjitha nivelet e qeverisjes për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 që urdhëronte regjistrimin e pronësisë së tokës në Manastirin e Deçanit, duke i kërkuar qeverisë dhe gjyqësorit që të mbajnë përgjegjës zyrtarët përgjegjës për moszbatimin e vendimit”, thuhet në raport.

Në përmbledhjen e këtij raporti DASH përmend refuzimin e qeverisë së Kosovës për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën rreth Manastirit të Deçanit.

“Në shtator, Gjykata Kushtetuese ia referoi prokurorit të shtetit refuzimin e vazhdueshëm të qeverisë për të zbatuar vendimin e asaj gjykate të vitit 2016 që i njihte Kishës Ortodokse Serbe (KOS) pronësinë e tokës rreth Manastirit të Deçanit. Në përgjigje të moszbatimit të vazhdueshëm nga qeveria si të atij vendimi ashtu edhe të një marrëveshjeje të vitit 2020 për punën në rrugë brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit (SPZ), Kisha Ortodokse Serbe ndërpreu komunikimin zyrtar me qeverinë në maj”, thuhet ndër të tjera në raport.

Tutje në raport përmendet edhe futja e Manastirit të Deçanit nga ana e organizatës Europa Nostra në listën e shtatë vendeve të trashëgimisë më të rrezikuar në Evropë.

“Në prill, federata pan-evropiane e organizatave të shoqërisë civile të trashëgimisë kulturore, Europa Nostra, përfshiu Manastirin e Deçanit të Kishës Ortodokse Serbe në listën e saj të shtatë vendeve të trashëgimisë më të rrezikuara në Evropë, një përcaktim që zyrtarët qeveritarë thanë se ishte “i njëanshëm” dhe “i pasaktë”. Anëtarët e Kishës Ortodokse Serbe thanë se disa komuna nuk arritën të ofrojnë siguri ose mirëmbajtje adekuate të vendeve të Kishës Ortodokse Serbe”, thuhet në raport.

(Kosova Sot Online)