Lidhja me Durrësin dhe Porti i Thatë në Prishtinë, Ministri Aliu jep detaje për projektin

  • E.K /
  • 04 June 2022 - 14:35
Lidhja me Durrësin dhe Porti i Thatë në Prishtinë, Ministri Aliu jep detaje për projektin

Para dy javësh, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pritur një delegacion të një kompanie projektuese nga Holanda, të cilët i kanë prezantuar planin për Portin e Durrësit. Aty parashihej edhe ndërtimi i Portit të Thatë në Prishtinë. Për këtë projekt, ka folur Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastukturës, Liburn Aliu.

Në Prishtinë pritet të ndërtohet një Port i Thatë. Ndërtimi i këtij porti parashihet në kuadër të projektit për Portin e Durrësit, pamjet e të cilit u publikuan nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Detaje rreth këtij projekti ka dhënë Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastukturës, Liburn Aliu.

Aliu ka thënë se ndërtimi i këtij porti do të jetë mundësi e mirë zhvillimi për Kosovën.

“I kemi ba këto raportet e fizibilitetit, i kemi nënshkru marrëveshjet me Republikën e Shqipërisë dhe idenë e ndërlidhjes të dy porteve, të Portit të Durrësit dhe Portit të Tivarit që puqen në Shkodër dhe që ndërlidhen me një Port të Thatë në Prishtinë, dhe i cili ka me qenë pasqyrim i Portit të Durrësit ka me qenë një mundësi e mirë zhvillimi për Kosovën”, ka deklaruar Aliu.

Ai tregoi se kanë analizuar çdo detaj sa i përket mallit që vjen në Portin e Durrësit e sa do të ishte vëllimi me Portin e Thatë në Prishtinë.

Sipas Aliut, ky port e shndërron Prishtinën në “njëfarë ndërvarësie” mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

“Porti i Thatë në Prishtinë ka qenë ide e cila është diskutuar edhe me Ministrinë e Republikës së Shqipërisë, pra edhe në Portin e Durrësit, i kemi analizu sa janë, sa është vëllimi i mallit që vjen në Portin e Durrësit sot, sa do të mund të ishte vëllimi kur të lidhet me Prishtinën e Prishtina pastaj me gjithë regjionin përmesmes linjave ekzistuese rrugore, kjo e rritë edhe vëllimin e punës në Portin e Durrësit, por edhe Prishtinën e shndërron në njëfarë ndërvarësie të të dyja vendeve, në Portin e Thatë në Prishtinë”, ka thënë Aliu.

Ndryshe, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, publikuar pamjet e para se si do të duket Porti i Durrësit dhe Porti i Thatë në Prishtinë.

Në kuadër të këtij projekti, në Prishtinë do të bëhet një terminal.

Pasi u prezantua projekti, Rama tha se ky do të bëhet praktikisht edhe port i Prishtinës.

“Shkëlqyer, pra ju keni shtuar Prishtinën apo jo. Është fantastike, praktikisht ky bëhet edhe port i Prishtinës”, tha Rama.

(Kosova Sot Online)