Beteja e veteranëve me Qeverinë për pagën minimale, seanca nuk nis ende

  • E.K /
  • 06 June 2022 - 12:07
Beteja e veteranëve me Qeverinë për pagën minimale, seanca nuk nis ende

Pak deputetë janë në sallën kryesore të Kuvendit. Seanca e paralajmëruar për orën 11:00 nuk ka nisur ende. Veteranët e UÇK-së janë mbledhur te dyert e Kuvendit dhe po tentojnë të futen brenda. Ata po protestojnë në kryeqytet që nga ora 10:00.

Pika e parë e seancën së sotme të Kuvendit është e papranueshme për ta. Veteranët ndihen të indinjuar që Qeveria i la jashtë projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që e përcaktojnë shumën e pagës minimale. Mazhoranca i ka numrat e nevojshëm për ta miratuar këtë projektligj, por seanca nuk ka nisur ende.

Një kordon i policisë u pozicionua shpejt para Kuvendit, ndërsa në hyrje policët u bënë grumbull për të mos i lënë veteranët të futen brenda.

Objekti i Qeverisë së Kosovës u rrethua po ashtu nga forcat e Policisë, pasi protesta eksaloi në anën tjetër.

Autoblindat e Policisë u panë nëpër rrugët e Prishtinës, teksa shkonin te Kuvendi, ku veteranët tashmë ishin futur në oborr.

Për t’i qetësuar protestuesit, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha doli te dera e Kuvendit.

Berisha kërkoi që veteranët të mos i dëmtojnë institucionet dhe të mos i prekin policët.

“Ju keni të drejtë në çdo gjë, por një duhet ta dini, se këto institucione, këto institucione, ai bar që po e shkelni, këto pemë, këta policë janë tonat. I kemi bë ne. Janë si rezultat i gjakut tonë. Janë si rezultat i gjakut të dëshmorëve. Prandaj ne duhet t’i mbrojmë, jo t’i lëndojmë. Mos gaboni me dëmtu kurrgjë, asnjë pemë që është në këtë oborr, e ruana Zot me e prekë institucion”, tha ish-komandanti i UÇK-së.

Kundër këtij projektligji që parashihet të shqyrtohet në seancën e sotme të Kuvendit është shprehur Partia Demokratike e Kosovës. Deputeti i kësaj partie, Rashit Qalaj tha në një konferencë për media se “askujt nuk i duhen trazirat”.

(Kosova Sot Online)