Dy personat që i zuri lisi në Pejton ishin rreth 30-vjeç, djali vdiq, vajza në QKUK
Nga stuhia në Prishtinë, që rrëzoi lisa e shtylla, mbeti i vdekur një djalë rreth 30 vjeç. Vajza e lënduar në Pejton ishte e së njëjtës moshë. Ajo po trajtohet në QKUK.
Pak minuta pasi nisi një stuhi në kryeqytet, në qendër janë rrëzuar drunj e shtylla, të cilat kanë bllokuar qytezën e Pejtonit.
Në këtë pjesë të qytetit, një lis i madh që kishte rënë në rrugë zuri përfundi një burrë e një grua të moshës rreth 30-vjec.
Sipas informatave që në Policinë e Kosovës ia kanë dhënë burri ka vdekur, ndërsa vajza gjendet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për trajtim.
“Rreth orës 15:15 është pranuar informata se një lis është rrezuar dhe ka zënë dy persona. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informatat e para janë ngritur dyshimet se njëri nga të lënduarit mashkull, rreth 30 vjeç ka humbur jetën përderisa e lënduara tjetër femër poashtu rreth 30 vjeç është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.
Kosova Sot Online më parë ka publikuar pamje nga Pejtoni, ku shiheshin rrugët e bllokuara dhe qytetarë që po provonin t’i ndihmonin personat e zënë nga lisi.
Në disa fotografi shihet edhe lisi i madh që ka rënë.
Është raportuar se edhe në pjesë të tjera të kryqytetit janë rënë drunj.
“Prishtina Weather”, që menaxhohet nga meteorologu Mendim Rugova, kishte paralajmëruar se Kosova do të përballej me një stuhi të fuqishme.
(Kosova Sot Online)
