Vëllai i Butës nga spitali dërgohet në paraburgim, avokati tregon si reagoi për vrasjen

  • E.K /
  • 08 June 2022 - 14:34
Vëllai i Butës nga spitali dërgohet në paraburgim, avokati tregon si reagoi për vrasjen

Qëndrim Januzi, i cili dyshohet për vrasjen e Gazmend Hysenit ndodhur me 28 maj 2022 në Ferizaj, është dërguar në qendrën e paraburgimit në Hajvali, ka konfirmuar avokati i tij, Fitim Shabani. Qëndrim Januzi për disa ditë kishte qëndruar në trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi në ditën kritike ishte qëlluar me armë zjarri nga një polic me rroba civile. Sipas mbrojtjes së tij, Januzi ka shprehë keqardhje për rastin.

Në një bisedë telefonike avokati Fitim Shabani, tha se Qëndrim Januzi është në gjendje shëndetësore stabile, por nuk mundet me u deklaru akoma.

“Është në qendër të paraburgimit në Hajvali. Nuk e di saktë ditën kur e kanë përcjellë. Unë nuk kam qenë në procedurën e fazës para paraburgimit. Qëndrimi ka shprehë keqardhje në fazat e tjera, por në fazën e paraburgimit nuk kam qenë. Ka qenë avokati sipas detyrës zyrtare…Gjendja e tij nuk është ende me u deklaru ose me folë. Është në gjendje stabile por jo me u deklaru ende”, tha avokati Shabani.

Meqenëse në media është raportuar si motiv i mundshëm i vrasjes së 30-vjeçarit djegia e veturës së reperit Buta, vëllait të Qëndrim Januzit, avokati u pyet nëse prokuroria e ka intervistuar reperin Buta.

Në këtë pyetje avokati Fitim Shabani tha: “Me sa e di unë jo”.

Më pas, avokati Shabani mohoi raportimet e mediave se pas kësaj ngjarje reperi Buta është larguar nga vendi.

“Për asnjë moment nuk ka qenë jashtë vendit”, tha avokati.

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka konfirmuar se polici që ka plagosur Qëndrim Januzin është duke u hetuar për veprat penale; “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.

Pak ditë pas ngjarjes tragjike në Ferizaj, IPK njoftoi se lidhur me përdorimin e armës nga ana e zyrtarit policor janë ndërmarrë disa veprime hetimore. Ndër to ishte suspendimi i zyrtarit policor për 72 orë, por kjo masë u ndërpre pothuajse menjëherë.

Lidhur me ndërprerjen e kësaj mase, Inspektorati Policor i Kosovës i tha  Express se pasi u vlerësua suspendimi i tij për 72 orë dhe pas verifikimit të pamjeve filmike IPK ka vendosur që mos të rekomandoj vazhdimin e suspendimit.

“Për rastin në fjalë, fillimisht ishte vlerësuar nga hetuesi IPK-së që zyrtarit policor ti rekomandohet suspendimi për 72 orë deri në sqarim të rrethanave të rastit. Por pas verifikimit të pamjeve filmike, IPK ka vendosur që mos të rekomandoj vazhdimin e suspendimit, ndërkaq rasti do të hetohet në procedurë të rregullt sipas autorizimeve të Prokurorisë”, thuhej në përgjigjen e IPK-së.

Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar 30 ditë paraburgim Qëndrim Januzit, si i dyshuar kryesor për vrasjen e 30-vjeçarit Gazmend Hyseni. Sipas ish-mbrojtjes së Januzit, avokatit Kastriot Zenuni seanca për caktimin e paraburgimit ndaj tij është mbajtur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Avokati Zenuni kishte thënë se i dyshuari ka qenë në gjendje të përgjigjej vetëm me “po” ose “jo”.

“Sipas mjekut ka qenë në gjendje me u përgjigj vetëm me po ose jo. Nuk e kanë marrë në pyetje edhe gjatë. Seanca u mbajt brenda objektit të QKUK-së”, tha avokati Zenuni të dielën.

Ai theksonte se Qëndrim Januzi kishte pësuar lëndime kryesisht në nofull.

Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt për caktimin e paraburgimit ndaj Januzit,  gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se “ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 28 maj 2022, në Ferizaj, me dashje dhe përgatitje paraprake, ka privuar nga jeta tani të ndjerin”. Gjithashtu gjyqtari ka vlerësuar se në atë mënyrë që ka vë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë.

Qëndrim Januzi dyshohet se shtiu me armë zjarri shtatë herë në drejtim të Gazmend Hysenit.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 28 maj 2022, në Ferizaj, me dashje dhe përgatitje paraprake, ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.H., në atë mënyrë që ka vë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë, me ç ‘rast që pas një mosmarrëveshje të mëhershme me të takuar tani të ndjerin, ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri shtatë herë, ku si pasoj e të shtënave nga plagët e marra ndërron jetë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës. 

(Kosova Sot Online)