Osmani-Dendiasit: Shpresojmë që së shpejti të formalizohet vendimi për njohjen

  • A.P /
  • 08 June 2022 - 16:46
Osmani-Dendiasit: Shpresojmë që së shpejti të formalizohet vendimi për njohjen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot është takuar me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias, të cilit i ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, NATO dhe Partneritetin për Paqe.

Gjatë këtij takimi u diskutua për njohjen e Kosovës nga ana e shtetit grek, pasi Osmani ka shprehur gatitshmërinë e themelimit të bashkëpunimit mës dy shteteve.

Nga Zyra e Presidentes kanë njoftuar se Osmani i ka përmendur edhe tendencat destabilizuese të Rusisë në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi duke përdorur Serbinë si satelit.

“Një pjesë e takimit iu kushtua zhvillimeve të krijuara pas agresionit të Rusisë në Ukrainë. Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së ndaj Rusisë, duke shprehur mbështetje për popullin ukrainas dhe duke bërë me dije se tashmë Kosova ka strehuar një grup të gazetarëve nga ky shtet, sikurse që është e hapur edhe për strehimin e refugjatëve të tjerë”, thuhet në komunikatë.

Osmani ka potencuar edhe nevojën për rritjen e shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimin në politikën e jashtme, turizëm, kulturë si dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm. 

(Kosova Sot Online)