Kryeministri Kurti: Vuçiq të heqë dorë nga mohimi i masakrës së Reçakut

  • E.K /
  • 09 June 2022 - 14:16
Kryeministri Kurti: Vuçiq të heqë dorë nga mohimi i masakrës së Reçakut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për të pasur paqe të qëndrueshme dhe siguri afatgjate në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është Serbia ajo që duhet të ndryshojë.

Shefi i qeverisë tha para gazetarëve në lansimin e shërbimeve të reja elektronike në portalin e-Kosova, se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq bën mirë të orientohet drejt një introspeksioni të shoqërisë dhe të shtetit atje, lidhur me krimet e kryera në Kosovë.

Kurti ndër të tjera tha se Vuçiqi duhet të heqë dorë nga mohimi i masakrës së Reçakut.

“Vuçiqi bën mirë që të orientohet drejt një introspeksioni të shoqërisë dhe të shtetit atje, lidhur me krimet e kryera në Kosovë, të heqë dorë nga mohimi i masakrës së Reçakut, siç bëri vitin e kaluar që përveç që s’po e pranojnë Pavarësinë e Kosovës po i mohojnë edhe krimet e regjimit të Millosheviqit”.

“Para çfarëdo shkëmbimi do të duhej të bëjë introspeksionin, ajo shoqëri atje e cila është strehë e një numri të madh të kriminelëve të luftës, ta ketë një vetëkritikë që të kemi paqe të qëndrueshme dhe siguri afatgjate në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Kryeministri Kurti poashtu theksoi se me Republikën e Shqipërisë marrëdhëniet janë të shkëlqyera, dhe njoftoi se mbledhja e përbashkët e dy qeverive shqiptare, pritet të mbahet pas dy javëve, si vazhdimësi e asaj të mbajtur më 26 nëntor të vitit të kaluar.

(Kosova Sot Online)